Mbahet “Forumi i Bratisllavës”, ku do të marrin pjesë Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq.
Sot gjatë ditës në Bratisllavë të Sllovakisë do të mbahet “Forumi i Bratisllavës”, konferencë ndërkombëtare e organizuar nga “GlobSec”.
Në këtë konferencë ndërkombëtare do të marrin pjesë edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi si dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Në “Forumin e Bratisllavës” të GlobSec, presidenti Thaçi do të marrë pjesë në panelin ku do të diskutohet për të ardhmen e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Pjesë e këtij paneli pritet të jetë edhe presidenti i Serbisë, por një takim i ndarë mes të dy presidentëve – Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq – nuk pritet të ndodhë.
Këtë e ka konfirmuar presidenti Thaçi në një konferencë për media para nisjes për Bratisllavë ku ka thënë se nuk do të ketë një takim të veçantë me homologun e tij serb, por se të dy do të jenë pjesë e panelit ku do të diskutohet për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Në margjina të konferencës, presidenti Thaçi pritet të takojë edhe diplomatë tjerë, pjesëmarrës në konferencë.
“Forumi i Bratisllavës” për siguri globale është i 14-ti me radhë që mbahet dhe në të marrin pjesë liderë dhe panelistë të rëndësishëm nga 65 shtete të botës. Në këtë konferencë diskutohet për sigurinë në Evropën Qendrore.