Kombëtarja e Kosovës e mban sot stërvitjen e fundit para nisjes për në Izrael.
Kombëtarja e Kosovës po i vazhdon përgatitjet për duelet e marsit, në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024.
“Dardanët” janë duke ushtruar që nga e hëna, kur edhe janë grumbulluar.
Ndërkaq, Federata e Futbollit njofton se sot do të jetë seanca e fundit stërvitore në Kampin Nacional në Hajvali para nisjes për në Izrael, shkruan Gazeta Express.
Kjo stërvitje, nën drejtimin e selektorit Alain Giresse do të nisë në orën 10:45.
E nesër, Verdhekaltrit do ta mbajnë një stërvitje të lehtë në Izrael para ndeshjes së të shtunës në Tel Aviv.
Më pas, të martën tjetër, Vedat Muriqi me shokë do ta presin Andorrën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
“Dardanët” synojnë të dalin sa më mirë nga këto dy sfida, përkundër turbullirave të fundit që ndodhën në Federatën e Futbollit, me dërgimin në mbajtje për 48 orë të kreut të FFK-së, Agim Ademi.