Shorti i çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve do të hidhet sot në Shtëpinë e Futbollit evropian në Nyon të Zvicrës, ora 12:00.
Bayern Munich, Benfica, Chelsea, Interi, Manchester City, Milani, Napoli dhe Real Madridi do të mësojnë emrat e rivaleve që do të kenë përballë në këtë raund.
Shorti është i hapur, pra nuk do të ketë ndarje në vazo të ndryshme për të shmangur duelet mes klubeve nga i njëjti vend apo ato që janë ndeshur në të njëjtin grup këtë sezon.
Tetë goglat me emrat e ekipeve çerekfinaliste do të vendosen në një vazo të madhe. Skuadra e parë që do të kapet do ta luajë ndeshjen e parë në shtëpi.
Procedura do të përsëritet deri në përcaktimin e katër çifteve çerekfinaliste.
Bashkë me shortin e çerekfinaleve sot do të përcaktohet edhe ai i dy çifteve gjysmëfinaliste.
Ndeshjet e para të dueleve çerekfinaliste do të luhen të martën dhe të mërkurën e 11 dhe 12 prillit, ndërsa ato të kthimit do të mbahen në datat 18 dhe 19 prill.
Gjysmëfinalet do të luhen në datat 9-10 dhe 16-17 maj, ndërsa finalja e këtij sezoni do të zhvillohet të shtunën e 10 qershorit në Stamboll.