Në Kosovë dhe Bosnje sot votohet marrëveshja për njohjen e letërnjoftimeve.
Në Kuvendin e Kosovës dhe në Këshillin e Ministrave të Bosnjës e Hercegovinës pritet të votohet sot marrëveshja e lëvizjes së lirë me letërnjoftime mes gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, që pas hyrjes në fuqi, do të mundësojë lëvizjen pa viza të qytetarëve nga Kosova dhe Bosnja.
Më 8 shkurt, Qeveria e Kosovës kishte miratuar këtë marrëveshje, ndërsa e njëjta pritet të ratifikohet sot në Kuvend.
Ndërsa, nëse marrëveshja miratohet sot në Këshillin e Ministrave, e njëjta dërgohet më pas për miratim në Parlamentin e Bosnje e Hercegovinës.
Kjo marrëveshje është një prej tri marrëveshjeve të arritura në Berlin më 3 nëntor 2022, në kuadër të Procesit të Berlinit.
Vitin e kaluar, gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor arritën edhe marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë dhe atë për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve.
Regjimi i vizave ka penguar udhëtimet e qytetarëve që jetojnë në Kosovë, por që kanë prejardhje nga Bosnja.