Sot nga ora 21:00 sërish protestë në Prishtinë për 4-shen e UÇK-së

13:36 | 19 Shtator 2026

Platforma qytetare “Liria ka Emër” ka paralajmëruar një tjetër tubim në Prishtinë, pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Përmes një njoftimi të publikuar në rrjetet sociale, platforma ka bërë thirrje për pjesëmarrje në tubimin e sontëm në shesh.

“Shihemi n’21:00 n’shesh!”, thuhet në njoftimin e “Liria ka Emër”.

Tubimi vjen pas protestave dhe marshimeve të organizuara në Prishtinë në mbështetje të katër ish-krerëve të UÇK-së. Më herët, më 12 shtator, “Liria ka Emër” kishte organizuar “Marshin për Liri” në sheshin “Skënderbeu”, ndërsa pas aktgjykimit janë zhvilluar edhe protesta të tjera në kryeqytet.

Aktgjykimi ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit u shpall nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë më 16 shtator 2026. Protestuesit në Prishtinë kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj vendimit dhe kanë kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së.

Komento: