Sot përvjetori i vdekjes së ish-Presidenti Rugova

09:18 | 21 Janar 2022

Sot është përvjetori i vdekjes së ish-Presidenti Rugova.

Sot është përvjetori i vdekjes së Ish Presidentit të Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugovës.

Ai u lind më 2 dhjetor 1944 në Cërcë të Istogut. Rugova shkollën fillore e kreu në Istog, të mesmen e kreu në Pejë, më 1967. Fakultetin Filozofik – Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe e kreu në Prishtinë.

Doktoroi në fushën e letërsisë në Universitetin e Prishtinës, më 1984. Në vitin 1996 Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës.

Në fillim ishte redaktor në gazetën e studentëve Bota e re dhe në revistën shkencore Dituria (1971-72), që botoheshin në Prishtinë. Një kohë punoi edhe në revistën Fjala. Mandej, për afro dy dekada, Dr. Ibrahim Rugova veprimtarinë e vet shkencore e zhvilloi në Institutin Albanologjik si hulumtues i letërsisë.

Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh, më 23 dhjetor 1989, nga themelimi, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi. Ai ishte udhëheqësi kryesor i lëvizjes paqësore të Kosovës dhe shtetit pararel gjatë viteve të 90’ta.

Dr. Ibrahim Rugova u rizgjodh President i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998. Nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës LDK-ja fitoi shumicën e votave në zgjedhjet e para lokale të sponsorizuara ndërkombëtarisht në Kosovën e pasluftës në tetor të vitit 2000 si dhe n zgjedhjet e para nacionale në vitin 2001 dhe në zgjedhjet e dyta lokale të vitit 2002. LDK fitoi edhe zgjedhjet e fundit nacionale më 2004. Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Kosovës në mars të vitit 2002 dhe u rizgjodh edhe më 2004.

Dr. Ibrahim Rugova vdiq më 21 janar 2006 në Prishtinë dhe u varros në Bregun e Diellit me nderimet më të mëdha të popullit të Kosovës. Ai ishte autor i 12 veprave teksa ka pranuar edhe shumë Çmime dhe mirënjohje vendore dhe ndërkombëtare duke përfshirë këtu edhe Çmimin Saharov nga Parlamenti Europian.

Komento: