“Marakli t’kerreve” proteston kundër shtrenjtimit të sigurimit të automjeteve.
Që nga 15 nëntori për çdo veturë do të paguhet 26.6 për qind më shumë për sigurim.
Ky vendim i Bankës Qendrore të Kosovës që ka hyrë në fuqi është arsyeja pse grupi “Marakli t’kerreve” do të protestojë sot.
Ky grup po e kundërshton fuqishëm këtë vendim me arsyetimin se i njëjti prek xhepat e secilit qytetar dhe përkeqëson gjendjen ekonomike.
“Të gjithë e kemi parasysh që nga data 15 Nëntor ka hyrë në fuqi vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për shtrenjtimin e sigurimit të automjeteve për 26%.
Duke e ditur këtë fakt i cili prekë xhepat e secilit qytetar dhe përkeqëson edhe më tutje gjendjen tonë ekonomike, ne si komuniteti më i madh i veturave në Kosovë dhe më gjerë nuk do rrimë duarkryq, prandaj me datë 22 NËNTOR 2019 (E Premte) nga ora 13:00 grupi ‘Marakli t’kerreve’ organizon protestë me qëllimin e vetëm, atë të kundërshtimit të këtij vendimi”.
Protesta e organizuar nga grupi “Marakli t’kerreve” do të mbahet me fillim nga ora 13:00 në rrugën “Luan Haradinaj” pranë objektit të BQK-së.
Shtrenjtimin e sigurimit të automjeteve e ka arsyetuar guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti.
Mehmeti, dje, në një konferencë për media të mbajtur enkas për këtë çështje tha se vendimi i tyre është marrë edhe duke respektuar rekomandimet e bëra nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, teksa e la të hapur mundësinë që një kompani e huaj të rishikojë çmimet.
Me këtë rritje, për makina me kapacitet prej 1.1 deri në 1.3 kubik, sigurimi nga 100 euro do të kushtojë 127 euro.
Derisa për ato nga 1.9 deri në 2.2 kub nga 184 do të bëhet 233 euro.
Por, më së shumti i bie të paguajnë automjetet me kapacitet mbi 2.7, ku nga 247 do të japin 313 euro për sigurimin fillestar.