Sot takimi i radhës në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, në agjendë marrëveshja për energjinë – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Sot takimi i radhës në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, në agjendë marrëveshja për energjinë

09:19 | 21 Qershor 2022

Sot në Bruksel do të zhvillohen takime në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Ky takim do të jetë në nivel kryenegociatorësh mes zëvendëskryeministrit të Kosovës Besnik Bislimi edhe shefi i delegacionit të Serbisë Petar Petkoviq ndërsa në rend ditë është marrëveshja për energjinë.

Po ashtu, do të bëhen edhe përgatitje për një takim të nivelit të lartë me kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Vuçiq.

“I dërguari i posaçëm i BE-së Miroslav Lajçak, do të jetë mikpritës i një raundi tjetër të takimeve në kuadër të dialogut në nivelin e kryenegociatorëve. Takimi do të fokusohet në finalizimin e një udhërrëfyesi i cili do të ndihmojë në zbatimin e marrëveshjes për energji të vitit 2013-të dhe 2015-të si dhe në çështjet e tjera, përfshi edhe përgatitjet për takimin e ardhshëm të nivelit të lartë”, tha Peter Stano, zëdhënësi i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri.

Javë më parë, të dy palët kanë thënë se janë përafruar qëndrimet në lidhje me energjinë me presidentin serb Vuçiq që ka thënë se ka pasur bisedime me kompaninë KEDS.

Mirëpo, Kurti të shtunën sqaroi se për çfarë është biseduar mes palës serbe dhe kompanisë turke KEDS.

“Vendosja e matësve të energjisë, mirëmbajtja e matëse, faturimi dhe inkasimi dhe këtë obligim ne e kemi përmbushur e që i referohet takimeve ndërmjet KEDS-it dhe palës serbe. Pra, vetëm në këtë aspekt ata kanë biseduar. Nuk do të ketë asnjë shërbim shtesë në fushën e distribucionit përtej këtyre katër shërbimeve që i përmenda dhe përtej katër komunave në veri të Republikës së Kosovës. Pra, në këtë aspekt kanë biseduar KEDS-i me palën serbe. Kjo ka ndodhur më 9 qershor”, tha Kurti.

Megjithatë, ai nuk deshi të ndalet më shumë te kjo marrëveshje pasi tha se nuk duhet të dëmotohet procesi.

“Ditët në vijim në janë vendimtare për parë se a do të bëhet finalizimi i dakordimit për nismën e zbatimit të udhërrëfyesit të energjisë, andaj duhet të kemi shumë kujdes që as me hamendesime, dhe as me gjysmë të vërteta apo çerek të vërteta të mos e dëmtojmë procesin në ditët në vijim, për shkak se po kërkohen pretekste për t’i ikur ose devijuar nga marrëveshja afër së cilës jemi si asnjëherë më parë”, shtoi Kurti.

Sa i përket marrëveshjes për energji diplomatët thonë se fjala është për të njëjtën marrëveshje që ishte arritur në vitin 2013-të, ishte konfirmuar në vitin 2015-të, ndërsa tashme palët vetëm do të pajtohen për planin e implementimit të saj. BE pritet të ketë rolin e lehtësuesit edhe për zbatimin e kësaj marrëveshje.

Komento: