Sot u bë pranim-dorëzimi i detyrës së kryetarit të ri të Kushtetueses

15:38 | 19 December 2024
sot-u-be-pranim-dorezimi-i-detyres-se-kryetarit-te-ri-te-kushtetueses

Kryetarja në largim e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka – Nimani, e ka bërë sot pranim-dorëzimin e detyrës së pasardhësit të saj, Nexhmi Rexhepit, mandati i të cilit fillon me 31 dhjetor 2024.

Në njoftimin e lëshuar nga Kushtetuesja thuhet se në fjalimin e saj, Caka – Nimani shtjelloi rëndësinë e Gjykatës Kushtetuese për mbrojtjen e vlerave të demokracisë dhe peshën dhe simbolikën historike të Kushtetutës së Kosovës.

“Mbrojtja e kësaj Kushtetute, nuk është thjeshtë një detyrë. Mbrojtja e kësaj Kushtetute, është akti më i lartë i patriotizmit të çdo qytetari të Republikës së Kosovës, të çdo shërbyesi publik, të çdo funksionari të lartë publik, e veçanërisht – i gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës”.

Caka-Nimani, falënderoj kolegët gjyqtarë, stafin e gjykatës dhe të gjithë partnerët që kanë mbështetur Gjykatën në avancimin e saj ndër vite.

Kurse, kryetari zgjedhur i Kushtetuese, Nexhmi Rexhepi, tha se pavarësia e pushtetit gjyqësor është gurthemel i demokracisë dhe është thelbësore për sendërtimin e parimit të ndarjes së pushteteve, për materializimin e sundimit të ligjit dhe për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

“Ne të gjithë ndajmë besimin e patundur se, në një demokraci kushtetuese, asnjë pushtet nuk është suprem – vetëm Kushtetuta është supreme.  Andaj, roli dhe detyra e Gjykatës Kushtetuese është të mbrojë dhe të ruaj supremacinë e Kushtetutës”.

Në fund, ai falënderoi të gjithë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese “për besimin e dhënë për të qenë i pari në mesin e të barabartëve”.

Komento: