Sot vendoset fati i kandidatëve për deputetë që kanë probleme me ligjin

09:09 | 20 Janar 2021

Gjashtë institucione kanë vetëm edhe sot kohë që t’i verifikojnë listat e partive politike, të cilat mund të kenë kandidatë me dënime të formës së prerë në tri vitet e fundit.

Procesi i verifikimit ka filluar që nga e hëna.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

“Janë dërguar në 6 institucione shkresa të veçanta për të kërkuar konfirmimin e përshtatshmërisë së kandidatëve me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Këtyre shkresave, i janë bashkangjitur edhe lista e kandidatëve për deputetë që janë dorëzuar në KQZ. Neni 29, që flet për përshtatshmërinë apo aftësinë e kandidatit, tregon se kush nuk mund të certifikohet si kandidat për deputet”, ka thënë Elezi.

Në listat e kandidatëve për deputetë të partive politike për zgjedhjet e 14 shkurtit, janë përfshirë disa persona të dënuar me aktgjykim të formës së prerë në tre vjetët e fundit.

Lëvizja Vetëvendosje ka 10 kandidatë me aktakuza aktive, dhe dy kandidatë të dënuar në tri vjetët e fundit. Në mesin e tyre janë Albin Kurti e Albulena Haxhiu, të cilët janë dënuar me kusht në shtatorin e vitit 2018 për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend.

AAK’ja ka tetë kandidatë më aktakuza aktive. PDK’ja ka katër kandidatë me aktakuza aktive dhe një të dënuar në tri vjetët e fundit.

Nisma ka një me aktakuzë aktive dhe dy të dënuar në tri vjetët e fundit. Njëri prej tyre është Besnik Berisha, ish-udhëheqës i Divizionit të Prodhimit të Dokumenteve në Ministrinë e Punëve të Brendshme, i cili ishte dënuar me 6 muaj burgim me kusht për “zbulim të fshehtësisë zyrtare” në mars të 2018-s.

Lista Serbe ka një me aktakuzë aktive dhe një të dënuar. Milan Aritonoviq nga Lista Serbe është i dënuar me 500 euro gjobë nga gjykata për raportim të rremë të pasurisë.

Ndërkaq Lidhja Demokratike e Kosovës ka vetëm një kandidat me aktakuzë aktive.

Komento: