Spahiu kritikon ndryshimin e emrave të rrugëve në veri: Puna u bë ‘ërllog’, fajëson Albin Kurtin

15:25 | 03 Qershor 2026

Profesori universitar Nexhmedin Spahiu ka reaguar ashpër lidhur me ndryshimin e emrave të disa rrugëve dhe shesheve në veri të Kosovës, duke akuzuar kryeministrin Albin Kurti se ka angazhuar persona të papërgatitur për këtë proces.

Përmes një postimi publik, Spahiu tha se vite më parë i kishte propozuar Kurtit që emrat me konotacion agresiv në veri të zëvendësoheshin me emra më të moderuar, mirëpo sipas tij, ndryshimet e fundit janë realizuar në mënyrë të gabuar.

Ai kritikoi faktin që në pjesën veriore të Mitrovica janë vendosur emra që tashmë ekzistojnë në jug të qytetit, duke përmendur si shembull rrugën “Isa Boletini”.

Sipas Spahiut, kjo nuk ka kuptim për një qytet që administrativisht ndahet në dy komuna, por mbetet i njëjti qytet.
Profesori ngriti shqetësime edhe për përzgjedhjen e disa emrave të rinj, duke thënë se figura të nacionalizmit serb janë zëvendësuar me emra që, sipas tij, kanë po ashtu konotacione të forta nacionaliste, raporton ORAinfo.

Po ashtu, ai kritikoi mungesën e përfaqësimit të personaliteteve boshnjake në emërtimin e rrugëve, duke theksuar se në Mitrovicë jeton një komunitet i konsiderueshëm boshnjak dhe se ekziston edhe Mahalla e Boshnjakëve.

Në reagimin e tij, Spahiu vuri në pah edhe gabime gjuhësore në shkrimin e disa emrave në gjuhën serbe.

Ai përmendi rastin e ish-kryeministrit serb Zoran Đinđić, emri i të cilit, sipas tij, është shkruar gabimisht.

Në fund të reagimit, Spahiu e quajti të papranueshme mënyrën se si është zhvilluar procesi, duke drejtuar kritika të drejtpërdrejta ndaj kryeministrit Kurti. /ORAinfo/

Komento: