Ylli i Interit, Mauro Icardi ka ftohur raportet me drejtuesit e klubit.
Kjo ka rezultuar edhe me marrjen e shiritit te kapitenit.
Trajneri i Interit, Luciano Spalletti, i ka kërkuar yllit të skuadrës së tij t’i lë anash rrjetet sociale dhe të bisedojë drejtpërdrejtë me drejtuesit e klubit zikaltër, për ta zgjidhur problemin mes tyre.
Sulmuesit të Interit i ishte marrë shiriti i kapitenit të mërkurën e javës së kaluar, para ndeshjes së Evropa Ligës kundër Rapid Viennas. Rolin e kapitenit në skuadrën e zikaltërve tani do ta ketë Samir Handanovic, transmeton Gazeta Express.
Pas këtij vendimi të Interit, Icardi e hoqi veten nga lista e lojtarëve të ftuar për ndeshjen e Evropa Ligës, duke sugjeruar në rrjetet sociale se ishte i lënduar, mirëpo Spalleti më vonë tha se ky kishte qenë vendimi i sulmuesit.
Edhe pse testet mjekësore konfirmuan se Mauro Icardi nuk vuan nga lëndimi i gjurit, sulmuesi argjentinas nuk është pjesë e skuadrës së Interit as për ndeshjen e nesërme të Evropa Ligës, kundër Rapid Vienna.
“Këto situata nuk zgjidhen me mesazhe dhe pëlqime në rrjetet sociale. Zgjidhja gjendet me fjalë dhe duke qenë të gjithë të bashkuar: Duhet të ketë kontakt të vërtetë, duhet të bëhet në mënyrë të drejtpërdrejtë. Kjo mënyrë është shumë më e thjeshtë”, ka thënë Spalletti.
Për të ardhmen e Icardit është spekuluar tash e një kohë të gjithë pasi që bashkëshortja dhe agjentja e tij, Ëanda Nara, nuk ka arritur marrëveshje me Interin për ta rinovuar kontratën.