Spanja i bën obligative maskat në ambiente të hapura

21:33 | 22 December 2021

Spanja po i bën obligative maskat mbrojtëse edhe në ambiente të hapura pasi po sheh me shqetësim një valë të re të infektimeve me koronavirus, me theks te varianti Omicron.

Kryeministri, Pedro Sanchez lajmëroi masat e reja të mërkurën (22 dhjetor) pas një video-konference me liderë rajonalë.

Spanja kishte vendosur masën që e bën obligative maskën mbrojtëse në ambiente të hapura edhe më herët gjatë pandemisë dhe shumë spanjollë i kanë mbajtur ato në mënyrë vullnetare.

Sanchez tha se Spanja do të luftojë edhe shpërndarjen e Omicronit me një shtysë për marrjen e vaksinave përforcuese.

Katalonia ndërkohë po ndërmerr një qasje më të ashpër se pjesa e tjetër e shtetit.

Rajoni, i cili përfshin Barcelonën, njoftoi mbylljen e bareve, klubeve dhe diskotekave këtë javë, si dhe një izolim nga ora një deri në gjashtë të mëngjesit.

Këto masa do të hyjnë në fuqi të premten(24 dhjetor) dhe fillimisht do të zgjasin 15 ditë.

Në të gjithë Spanjën, numri i infeksioneve të reja është rritur shumë.

Megjithatë, për shkak të shkallës së vaksinimit prej më shumë se 80 për qind, shumë prej të infektuarve shfaqin simptoma të lehta dhe spitalet nuk janë mbingarkuar. /REL

Komento: