Spanja triumfon ndaj Italisë dhe kualifikohet në finale të Ligës së Kombeve.
Me rezultat 2-1, Spanja e ka mposhtur Italinë në gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve që u zhvillua të enjten mbrëma në stadiumin De Grolsch Veste në Enschede të Holandës.
Rezultati u zhbllokua që në minutën e tretë të takimit kur Yeremy Pino mori një top të papastruar si duhej nga Leonardo Bonucci dhe e futi në rrjetë (3’).
Reagimi i italianëve ishte i shpejtë, duke qenë se u akordua penallti për prekje të topit me dore në zonë nga Robin Le Normand. Ciro Immobile ishte i saktë nga pika e bardhë (11’).
Davide Frattesi e futi topin në rrjetë në atë që do të ishte përmbysje e rezultatit për Italinë, mirëpo pas konsultimit të VAR-it, u anulua për pozitë jashtë loje gjatë ndërtimit të aksionit.
Rafael Toloi pati një mundësi në fund të fraksionit të parë dhe skuadrat shkuan në pushim me shifra identike.
Në gjysmën e dytë, spanjollët u treguan të rrezikshëm përmes Mikel Merino, Alvaro Morata e Rodri, të cilët nuk ia dolën të tregoheshin të saktë.
Në vazhdim, Unai Simon bëri një pritje të mrekullueshme pas goditjes nga Davide Frattesi për t’ia mohuar golin.
La Roja e realizoi golin e fitores në minutën e 89-të përmes Joselu, i cili ishte në vendin e duhur për ta devijuar topin që topin përfundoi në rrjetë.
Në finalen e të dielës, Spanja do të luajë përballë Kroacisë që të mërkurën mbrëma triumfoi ndaj Holandës.