Kombëtarja e Spanjës ka fituar Ligën e Kombeve duke e mposhtur në penallti Kroacinë (5:4).
Pavarësisht lojës së barabartë nga të dy skuadrat dhe rasteve të shumta të krijuara, rezultati në kohën e rregullt si dhe vazhdime doli të jetë 0:0.
Ashtu siç pritej, Spanja kishte dominimin në pjesën më të madhe të kohës, por Kroacia u tregua shumë më e rrezikshme në krijimin e disa aksioneve duke iu afruar shumë golit.
Ivan Perisic provoi në pjesën e parë ta befasojë Unai Simonin me një goditje të bukur, mirëpo spanjolli e devijoi.
Spanja gjithashtu rrezikoi disa herë nga afërsia me rastin më të mirë që e kishte Gavi, mirëpo ylli i Barcelonës goditi jashtë portës.
Pjesa e dytë në përgjithësi ishte më e qetë, me lojën që u zhvillua më shumë në mesfushë.
Vlen të ceket një mundësi fantastike që e kishte Ansu Fati nga afërsia, por goditjen brenda portës e devijoi Ivan Perisic për ta dërguar ndeshjen në vazhdime.
Mirëpo, as në vazhdime si Spanja as Kroacia nuk gjetën rrugën drejtë rrjetës.
Rasti i vetëm që vlen të përmendet në këto 30 minuta ishte i Dani Olmos që provoi nga zona, por goditja iu devijua.
Kështu, fituesi i Ligës së Kombeve u vulos nga pika e bardhë ku spanjollët u treguan më të saktë.
Fytyrë tragjike për kroatët ishin Lovro Majer dhe Bruno Petkovic që dështuan nga 11-metërshi derisa te Spanja dështoi vetëm Aymeric Laporte.
Spanja fiton Ligën e Kombeve, derisa në këtë kompeticion Kroacia mbetet vetëm si vend i dytë.