Specialja dërgon ftesën e dytë për Remzi Shalën i njohur si “Molla e Kuqe” i cili tashmë është arratisur.
Katër muaj në arrati nuk i mjaftuan Remzi Shalës i njohur si komandant “Molla e Kuqe” të ndërrojë mendje për t’iu përgjigjur ftesës që i erdhi nga Specialja.
Më 12 dhjetor 2018, Shala ishte larguar nga shtëpia e tij për ta lënë më pas Kosovën me pretendimin për të mos iu përgjigjur ftesës së Gjykatës Speciale, shkruan lajmi net.
E rreth dy javë më parë, për Remzi Shalën ka ardhur një ftesë e re për t’u paraqitur për intervistim në Hagë.
Këtë e kanë treguar ekskluzivisht për lajmi.net të afërmit e “Mollës së Kuqe”, të cilët po ashtu kanë thënë se Shala nuk e ka ndërmend t’i përgjigjet as thirrjes së dytë.
“I kemi kërkuar të paraqitet mirëpo ai nuk ka ndërruar mendje. Para rreth dy javësh ka ardhur edhe një ftesë nga Prokuroria e Specializuar, mirëpo ai prapë se prapë nuk do të paraqitet”, kanë thënë të afërmit e Remzi Shalës për lajmi net.
Ndonëse nuk i dihet vendndodhja, për Remzi Shalën është lëshuar urdhër-arrest ndërkombëtar nga Gjykata e Prizrenit, pasi që i njëjti kishte munguar në seancën e 9 janarit lidhur me gjykimin për vrasjen e Haxhi Përteshit në vitin 1998.
Për këtë çështje, lajmi net ka kontaktuar edhe me avokatin e Remziut, Natal Bullakaj.
Bullakaj thotë se deri më tani nuk dihet asgjë për fatin e Remzi Shalës, apo për vendndodhjen e tij.
Teksa ka thënë se i njëjti nuk ka komunikuar as me familjarë.
“Para tre ditësh jam takuar me xhaxhain e Remziut. Ai nuk është në dijeni dhe nuk kanë asnjë informacion për vendin se ku është. Madje ai ka thënë se nuk kanë pasur asnjë komunikim me të”, ka thënë Bullakaj.
E në lidhje me rastin e arratisjes së Shalës, në një përgjigje për lajmi.net nga Dhomat e Specializuara të prokurorisë, ishte thënë se do të ketë pasoja për ata që i ikin drejtësisë.
Ndër personat e ftuar, ka edhe figura të profilit të lartë të luftës së UÇK-së, përfshirë Sami Lushtakun, Rrustem Mustafën e Sylejman Selimin.