Aktakuza ndaj Gucatit dhe Haradinajt u konfirmua vetëm 42 ditë pasi u ngrit.
Ajo e Januzit dhe Bahtjarit 21 ditë pas, e për Haxhi Shalën gjyqtarit iu deshën vetëm 2 javë për t’i konfirmuar akuzat e Kimberly West se ky, sikur 4 të parët, kishte penguar administrimin e drejtësisë së Gjykatës Speciale, raporton Klan Kosova.
Më shumë se krejt këto ditë bashkë, dhe 100 tjera, i ka harxhuar gjyqtarja Marjorie Masselot dhe ende nuk ia ka konfirmuar aktakuzën Isni Kilajt, për çka ish-kryetari i Malishevës që thotë se po përjeton stres të jashtëzakonshëm, kërkon t’i zbardhet fati.
Isni Kilaj ishte arrestuar më 3 nëntor 2023. Aktakuza e parë i ishte ngritur më 15 dhjetor, e dyta më 11 mars, dhe ishte tërhequr për t’u plotësuar.
Kur Gjykata e liroi Kilajn në shtëpi gjatë majit, iu ngrit aktakuza e tretë më 28 qershor, dhe nga kjo e enjte, gjyqtares franceze i mbeten edhe 30 ditë të vendosë për të.
Hedhje të aktakuzës ose caktim i datës, janë kërkesat e mbrojtjes së Kilajt i cili dyshohet se nxori dokumente nga Qendra e Paraburgimit.
Në këtë dokument është zbuluar se ai ishte arrestuar në banesën e tij në Prishtinë, ndërkohë që tash detyrohet të qëndrojë në Malishevë. /