Gjyqtari i Procedurës Paraprake ia ka vazhduar paraburgimin ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Vendimi është marrë më 29 shtator, mirëpo është bërë publik vetëm disa ditë më vonë.
Në vendimin e tij, gjyqtari ka refuzuar të gjitha propozimet e dhëna nga mbrojtja e Thaçit si dhe garancat e ofruara nga shtetet e treta.
Një nga arsyet e refuzimit të lirimit nga paraburgimi është edhe plotësimi i vazhdueshëm i aktakuzës nga ana e Prokurorisë, që sipas gjykatës nënkupton se ish-presidenti Thaçi është në dijeni për akuzat ndaj tij dhe dëshmitarët e mundshëm, andaj sipas tij ekziston rreziku se ai mund ta pengojë drejtësinë.
Me këtë rast, gjyqtari paraprak ka kërkuar nga mbrojtja që të dorëzojë parashtresat për rishiqimin tjetër të paraburgimit deri më 28 tetor.