Specialja konfirmon bastisjen në shtëpinë e Artan Behramit

10:56 | 31 Tetor 2023
specialja-konfirmon-bastisjen-ne-shtepine-e-artan-behramit

Gjykata Speciale ka vazhduar edhe sot me bastisje, pas atyre të së hënës.

EULEX-i në mëngjesin e sotëm ka nisur bastisjet në banesën e Artan Behramit, ish-këshilltar i Hashim Thaçit.

Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Christopher Bennett, ka konfirmuar për Front Online aksionet, duke thënë se ato “janë të vazhdueshme”.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) është duke zhvilluar operacione të vazhdueshme në Kosovë. Operacionet e ZPS-së po mbështeten nga Policia e Kosovës dhe Misioni i Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”, tha ai në një përgjigje për Front Online.

Bastisje pati gjatë së hënës edhe tek shtëpitë e Blerim Shalës dhe Bashkim Smakës, të dy po ashtu ish-këshilltar të Hashim Thaçit.

Ndërkaq dje Artan Behrami, kishte reaguar lidhur me këtë bastisje.

“Gjykata Speciale është fashiste, sepse përndjek, arreston dhe dënon vetëm shqiptarët”, tha ai.

“Prokuroria është në panik! Po humb çdo betejë juridike! Ndërsa, gjykata në përpjekje për të ndihmuar prokurorinë, seancat tragjike-komike po mundohet t’i mbulojë me spektakle”, theksoi Behrami./FrontOnline

 

Komento: