Spitali regjional në Mitrovicë dhe kompania më e madhe ndërtimore në rajonin e Mitrovicës “Ariani Company” janë të fundit që ua kanë besuar shërbimet dhe rrjetin e shpejtë të internetit operatorit publik VALA.
Janë 450 punonjës të këtij institucioni shëndetësor, të cilët do të komunikojnë mes veti dhe me të gjitha spitalet e regjioneve të tjera që janë në varësi të SHSKUK-së.
“Të gjithë mantelbardhët dhe stafi teknik i spitalit tonë do të jemi tash e tutje me VALA-n dhe kjo është një përparësi e madhe për punën dhe misionin tonë”, bëri të ditur drejtori i spitalit ”Sami HaxhiBeqiri”, në Mitrovicë Dr. Enis Istrefi.
Në të njëjtën ditë, Telekomit të Kosovës i është bashkëngjitur edhe ndërmarrja ndërtimore ”Ariani Company” me seli në Vushtrri me rreth 200 punonjës të saj.
“Është shumë lehtësuese për specifikën e punës së ndërmarrjes sonë ky bashkëpunim me VALA-n, për arsye se rrjeti i saj i internetit dhe pajisjeve tjera teknologjike, na ndihmon së tepërmi që të jemi edhe më të suksesshëm dhe efektiv”, tha Naser Imeri, pronar i ”Ariani Company”.
Sjellja e institucioneve dhe kompanive të reja në Vala gjatë fillimit të këtij muaji dhe realizmi i dhjetëra kontratave të tjera komerciale dhe individuale kohët e fundit, janë një sinjal i duhur për orientimin e ri të Telekomit të Kosovës.
“Me nënshkrimin e këtyre dy kontratave, sot kompanisë sonë iu shtuan mbi 650 konsumatorë të rinj dhe kjo më bën jashtëzakonisht krenar me faktin se Telekomit të Kosovës gjithnjë e më fuqishëm janë duke i besuar bizneset, institucionet dhe qytetarët:”, theksoi Kryeshefi Ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi.