Spitali i Përgjithshëm në Pejë kërkon urgjentisht largimin e mbeturinave brenda hapësirave

10:55 | 22 Korrik 2026
spitali-i-pergjithshem-ne-peje-kerkon-urgjentisht-largimin-e-mbeturinave-brenda-hapesirave

Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka bërë një apel publik drejtuar institucioneve përgjegjëse, duke kërkuar ndërhyrje urgjente për zgjidhjen e problemit të largimit të mbeturinave, situatë që, sipas këtij institucioni, po rrezikon funksionimin normal të spitalit dhe sigurinë e pacientëve, stafit shëndetësor dhe qytetarëve.

Nga spitali bëhet e ditur se, si institucion që ofron shërbime shëndetësore pa ndërprerje 24 orë në ditë, çdo ditë prodhohen sasi të konsiderueshme mbeturinash, të cilat nuk mund të ruhen për periudha të gjata brenda hapësirave të spitalit.

Sipas njoftimit, grumbullimi i mbeturinave krijon rrezik për përkeqësimin e kushteve higjieno-sanitare dhe rrit mundësinë e përhapjes së infeksioneve, duke cenuar shëndetin e pacientëve, stafit dhe qytetarëve që marrin shërbime në këtë institucion.

Spitali thekson se e kupton situatën e krijuar lidhur me deponinë, por u bën thirrje institucioneve kompetente në nivel lokal dhe qendror që të ndërmarrin masa urgjente për të siguruar largimin e rregullt të mbeturinave.

“Nuk kërkojmë trajtim të privilegjuar, por trajtim prioritar për një institucion që ofron shërbime jetike dhe që, për shkak të natyrës së veprimtarisë së tij, nuk mund të funksionojë në kushte ku largimi i mbeturinave ndërpritet”, thuhet në reagimin e spitalit.

Po ashtu, Spitali i Përgjithshëm në Pejë thekson se i ka përmbushur me rregull të gjitha obligimet kontraktuale dhe financiare ndaj kompanisë që ofron shërbimin e grumbullimit dhe largimit të mbeturinave, duke nënvizuar se situata e krijuar nuk është pasojë e veprimeve apo mosveprimeve të institucionit.

Në fund, spitali u bën thirrje institucioneve përgjegjëse që ta trajtojnë këtë çështje me urgjencën e nevojshme, në funksion të mbrojtjes së shëndetit publik dhe garantimit të vazhdimësisë së shërbimeve shëndetësore.

Komento: