Spitali i ri i gjinekologjisë në Prishtinë që do të ndërtohet nga Emiratet, nis procesi i përzgjedhjes së lokacionit

15:56 | 23 Janar 2026
spitali-i-ri-i-gjinekologjise-ne-prishtine-qe-do-te-ndertohet-nga-emiratet,-nis-procesi-i-perzgjedhjes-se-lokacionit

Një spital i ri i gjinekologjisë do të ndërtohet në Prishtinë si donacion nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Donacioni kap vlerën e 25 milionë eurove dhe aktualisht kanë filluar përgatitjet për të përzgjedhur lokacionin për këtë spital të ri.

Këtë lajm e dha ambasadori i Kosovës në Abu Dhabi, Xhabir Hamiti, i cili për këtë projekt ishte pritur në takim nga Noura Al-Gaithi, Zëvendëssekretare e Departamentit të Shëndetësisë në Abu Dhabi, për të cilën tha se e ka informuar për këtë donacion.

Hamiti tha se kjo erdhi nga një marrëveshjes mes presidentes Vjosa Osmani dhe institucioneve të Emirateve të Bashkuara Arabe.

“Gjatë takimit, po ashtu u njoftuam se ky Departament, gjatë këtij viti, do të fillojë procesin e rinovimit dhe pajisjes me teknologji të re mjekësore të Spitalit Sheikh Zayed në Vushtrri në shumë prej 7.5 milionë euro”, tha Hamiti, duke falënderuar popullin e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Për këtë marrëveshje shkroi edhe këshilltarja e Osmanit, Learta Hollaj.

“Jemi shumë të lumtur që dakordimi i Presidentes Vjosa Osmani me Emiratet e Bashkuara Arabe për ndërtimin e spitalit të ri të gjinekologjisë po bëhet realitet. Ministria e Shëndetësisë, SHSKUK dhe institucionet relevante të Emirateve të Bashkuara Arabe janë duke punuar në mënyrë të vazhdueshme për realizimin e këtij projekti me rëndësi të veçantë. Një falënderim i veçantë për Lartmadhërinë e Tij, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, President i Emirateve të Bashkuara Arabe, për mbështetjen dhe bashkëpunimin e çmuar”./

Komento: