S’po besojnë që nuk e kaluan pragun, Nisma e Akr kërkojnë rinumërimin e votave

16:55 | 08 October 2019

Po kërkohet numërimi i votave nga pika zero.

Edhe koalicioni NISMA-AARK po kërkon nga PZAP-i që të marrë vendim për ta bërë rinumërimin e tërësishëm të votave në Kosovë. Kështu kanë deklaruar për Express, anëtari i kryesisë qendrore të Nismës, Xhevdet Smakiqi, si dhe kreu i AKR-së, Behxhet Pacolli.

Smakiqi i Nismës për Express ka deklaruar se formularët e KQZ-së kanë qenë me defekte.

“Kemi bërë një ankesë në PZAP në nivel Republike. Formulari i KQZ-së është me defekte dhe si rezultat i tij është dëmtuar saktësia e numërimit të të gjitha votave në nivel vendi”, ka thënë Smakiqi.

Tutje ai ka thënë se koalicioni NISMA-AKR-PD ka kërkuar që të ketë rinumërim të votave në nivel vendi.

“Koalicioni NISMA-AKR-PD ka kërkuar nga PZAP-i që të pezullojë procesin e numërimit të votave si dhe t’i rregullojë formularët. Ne kemi pas ankesa nga thuajse të gjitha degët e partisë sonë”, ka thënë Smakiqi.

E kreu i AKR-së, Behxhet Pacolli, i tha Expressit se edhe partia e tij ka bërë kërkesë bashkë me koalicionin për rinumërimin e votave.

“Ne kemi ba ankesat për shkak të disa parregullsive. Nisma ka qenë në kontakt me ne dhe së bashku kemi vendosë për kërkesën për rinumërim”, ka deklaruar Pacolli.

E për ankesat e këtyre tri subjekteve politike, ka folur për Express Mul Desku, kryesues në PZAP.

“Mund t’ju konfirmoj se i kemi marrë tri ankesa, pra LDK, PDK dhe NISMA. Ata po thonë që ka pasur parregullsi që i kanë evidentuar. Ata kanë dorëzuar ankesa që m’i korrigjua ato parregullsi. Pretendimet e tyre janë se në kolonat ku ata kanë qenë të sigurt që kanë pasur vota i janë deleguar një subjekti tjetër politik”, ka deklaruar Desku.

E këto tri subjekte politike kanë paraqitur ankesa të ndara në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe të tijat kanë një kërkesë që duket se është e ngjashme – rinumërimi i të gjitha kutive të votimit.

Ndërkohë, Express pak më parë ka raportuar se si PDK-ja ka ushtruar ankesë në PZAP për arsye se pretendon që kanë ndodhur disa parregullsi gjatë numërimit të votave.

PZAP-i ka kohë 72 orë për të vendosur lidhur me këto tri ankesa.

Komento: