Një lajm i dhimbshëm ka ardhur për botën e sportit, ku ka humbur jetën sportisti 22 vjeҫar.
Mbrojtësi 22-vjeçar i Lokomotivës së Moskës, Innokentiy Samokhvalov humbi jetën gjatë ditës së sotme, teksa ishte duke kryer një seancë stërvitore individuale në kushtet e shtëpisë, i detyruar nga izolimi për shkak të koronavirusit.
Lajmin e dha vetë klubi rus nëpërmjet një komunikate në faqen zyrtare, ku ndër të tjera sqarohet se shkaqet e vdekjes pritet të bëhen të ditura nga autopsia që do t’i bëhet trupit të 22-vjeçarit.
“Ai u ndje keq gjatë kryerjes së seancës stërvitore individuale në shtëpi dhe ndërroi jetë, ndërsa vetëm pas autopsisë do të mësojmë më shumë për shkaqet që e çuan drejt vdekjes. Samokhvalov do të mbahet mend si një futbollist i qeshur dhe i afruar me te gjithë”, thuhej ndër të tjera në komunikatën e klubit rus.
Samokhvalov iu bashkua Lokomotivës së Moskës në verën e 2015-ës, por ende nuk ishte debutuar në Premier Leaguen ruse, teksa aktivizohej me skuadrën e dytë, që militon në kategorinë e tretë të futbollit atje.