Kuvendi del me sqarim: Deputetët e dorëhequr të “Listës Serbe” nuk marrin pagë kalimtare.
Kuvendi i Kosovës ka dalë me sqarim pas raportimeve se deputetët e Listës Serbe që kanë dhënë dorëheqje do të vazhdojnë të paguhen për 12 muaj.
Përmes një postimi në faqen zyrtare, Kuvendi ka bërë me dije se kur deputeti jep dorëheqje, nga ajo ditë i pushojnë të gjitha të drejtat që mund të kishte përfituar si ish-deputet, përfshirë edhe pagën kalimtare deri në 12 muaj, raporton Express.
Sipas njoftimit, e drejta për pagë kalimtare gëzohet vetëm kur Kuvendi shpërndahet, qoftë pas mandatit të rregullt apo me ndërprerje të mandatit.
“Në funksion të sqarimit të publikut lidhur me përfitimet e ish-deputetëve, njoftojmë si në vijim: Kur Kuvendi shpërndahet, qoftë pas mandatit të rregullt apo me ndërprerje të mandatit, deputetët e legjislaturës përkatëse gëzojnë të drejtën në pagë kalimtare deri në një sistemim të ri, më së shumti 12 muaj. Ndërsa kur deputeti jep doreheqje, nga ajo ditë i pushojnë të gjitha të drejtat që mund të kishte përfituar si ish-deputet, përfshirë edhe pagën kalimtare deri në 12 muaj”, thuhet në njoftim.