Policia sqaron: Në aeroportin “Adem Jashari” është vjedhur një dërgesë me pajisje të radarëve.
Policia e Kosovës dhe Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror të Aerportit të Prishtinës nuk po arrijnë të gjejnë gjuhë të përbashkët lidhur me çështjen nëse ka pasur ose jo vjedhje të disa pajisjeve mekanike të radarëve civilë.
Në raportin 24 orësh të policisë së Kosovës kjo u adresua si “vjedhje e rëndë” e cila është ende nën hetim.
Por pas kësaj, ASHNA reagoi duke thënë se aty nuk ka ndodhur asnjë vjedhje dhe se operimet janë duke u zhvilluar normalisht.
“Ky sqarim vjen pas publikimit të lajmit në disa media për vjedhjen e pajisjeve të radarëve në Aeroportin e Prishtinës, duke përdorur si ilustrim me qëllim ose pa, foton e Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror, ku më pastaj shumica e mediave janë drejtuar në ASHNA për të kërkuar detaje se si ka ndodhur rasti”, thuhet në reagim.
Ndërkohë, policia e Kosovës ka dërguar edhe një sqarim shtesë lidhur me këtë çështje.
Në sqarimin e policisë së Kosovës thuhet se bëhet fjalë për një dërgesë të adresuar në Kosovë e që ka rezultuar të jetë gabim dhe e njëjta ka mbetur e deponuar në CARGO. Kjo dërgesë ka përmbajtur pajisje mekanike të radarëve civilë, pra nuk kanë qenë pajisje të aeroportit “Adem Jashari”.
“Ashtu siç është raportuar sot përmes raportit 24 orësh, Policia e Kosovës, më 29.01.2021, nga njësitet e doganës është lajmëruar për një rast i cilësuar ‘vjedhje e rëndë’. Me qëllim të njoftimit në mënyrë të drejtë të opinionit japim sqarimet shtesë lidhur me rastin: Më 30.12.2020, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, nga një shtet evropian, ka ardhur një dërgesë për një kompani private. Kjo dërgesë e adresuar në Kosovë, ka rezultuar të jetë dërguar gabim, andaj bazuar në procedurat e parapara e njëjta ka mbetur e deponuar në CARGO. Ndërsa tani, më 29.01.2021, policia është ftuar nga njësitet e doganës, për të hetuar rrethanat e mos pranisë së dërgesës, e cila përmbante pajisje mekanike të radarëve civil, të cilat kanë qenë të paketuara e të cilat nuk gjendeshin në depo.”, thuhet në komunikatën e PK-së.
Gjithashtu, Policia e Kosovës ka njoftuar se janë duke e hetuar rastin në bashkëpunim me organet e drejtësisë.
“Policia në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe në koordinim me prokurorin, kanë iniciuar rastin ‘vjedhje e rëndë’ të cilin janë duke e trajtuar dhe hetuar sipas kompetencave ligjore. Policia e Kosovës të gjitha veprimet hetimore do t’i ndërmerr në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, me qëllim të zbardhjes së rastit.”, sqaron policia.