Stafi u kthye, Auditorja qëndroi jashtë agjendës zyrtare: Mëditje shtesë nga Anglia

12:56 | 23 Janar 2026
stafi-u-kthye,-auditorja-qendroi-jashte-agjendes-zyrtare:-meditje-shtese-nga-anglia

Për dy vjet, krerët e ZKA-së morën mbi 12 mijë euro mëditje, ndërsa një vizitë në Angli ngre dyshime për pagesa përtej agjendës zyrtare. Kjo pasi, stafi ishte kthye nga udhëtimi zyrtar në Angli sapo përfundoi agjenda. Auditorja, ndërkohë, qëndroi më shumë jashtë vizitës zyrtare, duke përfituar mëditje shtesë, shkruan Demokracia.com.

Për dy vjet radhazi, Auditorja e Përgjithshme e Kosovës dhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm kanë përfituar mbi 12 mijë euro mëditje nga udhëtimet zyrtare jashtë vendit, sipas të dhënave zyrtare të siguruara nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA).

Sipas përgjigjes zyrtare, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka shpenzuar për mëditje jashtë vendit 2,505 euro gjatë vitit 2024, ndërsa 2,645 euro gjatë vitit 2025, apo gjithsej 5,150 euro për dy vite.

Ndërkohë, Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, ka përfituar 1,710 euro në vitin 2024 dhe 2,923 euro në vitin 2025, gjithsej 4,633 euro.

ZKA arsyeton këto shpenzime duke thënë se ato pasqyrojnë “natyrën, intensitetin, kohëzgjatjen dhe përgjegjësitë profesionale të agjendave zyrtare të nivelit të lartë drejtues”. Sipas institucionit, gjatë kësaj periudhe 106 punonjës të niveleve të ndryshme kanë marrë pjesë në trajnime, konferenca dhe aktivitete ndërkombëtare në kuadër të organizatave EUROSAI dhe INTOSAI.

Megjithatë, një vizitë konkrete në Mbretërinë e Bashkuar, në fund të janarit dhe fillim të shkurtit 2025, ngjall dyshime për kohëzgjatjen reale të agjendës zyrtare dhe përfitimin e mëditjeve përtej saj.

Rasti i Londrës: mëditje përtej agjendës zyrtare

Sipas njoftimeve publike të vetë ZKA-së, delegacioni i institucionit ka përfunduar vizitën zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar më 31 janar 2025, datë kur në faqen zyrtare është publikuar njoftimi se “takimi me Ambasadorin e Kosovës në Londër shënon përmbylljen e vizitës së Auditores së Përgjithshme në Mbretërinë e Bashkuar”.

Stafi tjetër i delegacionit është kthyer në Prishtinë më 1 shkurt, ndërsa Auditorja e Përgjithshme është kthyer vetëm më 3 shkurt 2025, duke qëndruar shtatë ditw ditë në Angli, ose gjashtë ditë zyrtare (perjashtuar 27 shkurtin- ditën e arritjes), ndonëse në përgjigjen zyrtare ZKA flet për një agjendë pesëditore për të.

Në agjendën e datës 1 shkurt, për Auditoren e Përgjithshme nuk figuron asnjë aktivitet zyrtar. Ndërsa më 2 shkurt, ajo ka shënuar një intervistë për mediumin “ALB UK TV”, aktivitet që nuk ka qenë pjesë e takimeve institucionale dhe që vjen pas përfundimit zyrtar të vizitës, siç është deklaruar nga vetë ZKA një ditë më herët.

Përkundër kësaj, në përgjigjen për Demokracia.com, ZKA e ka cilësuar këtë si “intervistë zyrtare”, ndonëse dokumentet e vetë institucionit tregojnë se ajo është realizuar jashtë afatit të agjendës zyrtare.

(përgjigja e ZKA)

Intervista e Auditores, e cila është dërguar në linkun e bashkangjitur në përgjigje, aktualisht nuk figuron si e tillë në faqen zyrtare të ZKA-së. Nga verifikimi rezulton se videoja e intervistës është hequr.

Diferenca që nuk del në llogari

Për këtë vizitë, Zëvendës Auditori i Përgjithshëm ka përfituar 522 euro mëditje, ndërsa Auditorja e Përgjithshme 704.60 euro.

Duke qenë se vlera ditore e mëditjes është 130.5 euro, për 5 ditë qëndrim shuma maksimale do të duhej të ishte 652.50 euro. Diferenca prej rreth 52 euro mbetet e pashpjeguar në dokumentacionin e dorëzuar.

Për më tepër, edhe vetë mëditja për ditën e pestë ka mosperputhje, pasi ajo ditë nuk ka qenë e mbuluar me aktivitete zyrtare institucionale, ndërsa aktiviteti i vetëm i shënuar ‘intervista mediale’  ka ndodhur pas përfundimit të vizitës.

Jozyrtarisht, mësohet se kjo ditë shtesë është shfrytëzuar nga Auditorja edhe për qëndrim privat me familjarë të saj që jetojnë në Angli, çka e bën përfitimin e mëditjes edhe më problematik nga aspekti etik dhe administrativ.

ZKA ka theksuar se të gjitha dokumentet për udhëtimet janë të bashkëngjitura dhe se aktivitetet ndërkombëtare janë publike. Megjithatë, rasti i Londrës tregon se, përkundër transparencës formale, praktika e përfitimit të mëditjeve përtej agjendës zyrtare mbetet e mjegullt, sidomos kur bëhet fjalë për drejtuesit më të lartë të institucionit që kanë për detyrë të jenë shembull i korrektësisë financiare. /Demokracia.com/

Shpenzimet e Auditores për meditjet jashtë vendit 2024- 2025:

Shpenzimet e ZV. Auditorit për meditjet jashtë vendit 2024- 2025:

Komento: