Stano për Front Online: Kosova s’i ka përmbushur plotësisht kërkesat për heqjen e masave

16:41 | 26 Janar 2024
stano-per-front-online:-kosova-s’i-ka-permbushur-plotesisht-kerkesat-per-heqjen-e-masave

Bashkimi Evropian nuk ka dhënë datë të saktë se kur do t’i heq masat e vendosura ndaj Kosovës.

Ani pse të njëjtat janë vendosur që nga 28 qershori i vitit të kaluar.

Brukseli ka qenë i qartë që masat mund të hiqen vetëm nëse do të zbatohen kushtet që Josep Borell kishte vendosur më 3 qershor për de-eskalimin e situatës në veri, ku përfshihen zvogëlimi i policisë speciale, largimi i kryetarëve dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja.

Front Online ka kërkuar përgjigje nga Bashkimi Evropian se a është duke e shqyrtuar mundësinë e heqjes së masave, por përfaqësues të BE-së, kanë deklaruar se ende s’janë përmbushur të gjitha kërkesat e tyre ndaj Kosovës.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka deklaruar për Front Online se masat janë të kthyeshme, por që njëherë nuk mund të hiqen.

“Këto masa janë të kthyeshme, por Kosova ende nuk i ka përmbushur plotësisht ato kërkesa. Kjo është arsyeja pse BE-ja ende po zbaton masa ndaj Kosovës, siç janë përcaktuar qartë në Konkluzionet e GAC, të miratuara unanimisht nga të 27 Shtetet Anëtare të BE-së në dhjetor”, ka thënë Stano për Front Online.

Sipas tij, të gjitha kërkesat tashmë janë të qarta për Kosovën.

“BE-ja ka bërë kërkesa specifike për de-përshkallëzimin e situatës ndaj Kosovës dhe ato i janë komunikuar qartë dhe në mënyrë të përsëritur palës kosovare”, ka shtuar ai.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti në vazhdimësi kanë kërkuar heqjen e masave duke i konsideruar si të padrejta dhe jo proporcionale, megjithatë BE është e prerë në kërkesën për plotësim kushtesh në këmbim të heqjes së masave.

Ndërsa, edhe sot zv.kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi gjatë raportimit në Komisionin për Integrime Evropiane ka deklaruar se nuk ka ende vendim për heqjen e masave nga Bashkimi Evropian.

Ai tha se Kosova ka zbatuar pikat e planit katërpikësh që i është kërkuar.

Kurse, të enjten ish-zv,ministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha ka thënë për Front Online se masat e Bashkimit Evropian të vendosura ndaj Kosovës, mund të shfrytëzohen edhe për kushte të reja.

Berisha në këtë rast nuk e ka përjashtuar as çështjen e Asociacionit.

Muajin e kaluar, më shumë se dhjetë vende evropiane i kërkuan Josep Borrellit të heqë kufizimet politike dhe ekonomike kundër Kosovës, duke vënë në dukje gjithashtu rolin që Serbia kishte luajtur në një sulm në Banjskë në  shtatorin e kaluar./Front Online/

 

Komento: