Zëdhënësi i BE: S’ka njohje de facto – qëllimi i dialogut s’është njohja, por normalizimi.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, u pyet nëse propozimi europian përmban njohjen de facto mes Kosovës dhe Serbisë.
“Përgjigjja e shkurtë është jo. Qëllimi i dialogut nuk është njohja, objektivi i dialogut është normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe sa i takon përmbajtjes së normalizimit është e vendosur nga dy palët”.
Ai tha se për këtë duhet të vendosin palët, derisa BE-ja ka vetëm rol ndërmjetësues.
“Pra u takon atyre, BE-ja është ndërmjetës, ne nuk e diktojmë çfarë do të bëjnë dhe si, por po i ndihmojmë që të arrijnë atje me maturinë europiane dhe kompromisin europian për përfitim të qytetarëve të tyre. Por objektivi dhe mandati jonë në këtë dialog është që t’i ndihmojmë që të arrijnë marrëveshjen finale gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme për normalizim të raporteve”, tha ai në konferencën e sotme për gazetarë.