Stavileci: Qeveria ‘Kurti’ nuk ka plan për zhvillimin energjetik të Kosovës

10:08 | 28 December 2024
stavileci:-qeveria-‘kurti’-nuk-ka-plan-per-zhvillimin-energjetik-te-kosoves


Ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci duke folur për “Front Online” ka kritikuar “Qeverinë Kurti” për mungesën e një plani të qartë dhe afatgjatë për zhvillimin energjetik të Kosovës.

Ai ka deklaruar se një qeveri e cila nuk ka një plan të qëndrueshëm për zhvillimin ekonomik, arsimin dhe shëndetësinë, është e pamundur të hartojë një strategji për sektorin energjetik.

Stavileci ka theksuar se mungesa e një plani të koordinuar ka krijuar një vakuum që ka penguar avancimin e projekteve energjetike, përfshirë atë të termocentralit të ri “Kosova e Re”.

“Një qeveri e cila nuk ka plan për zhvillim ekonomik për zhvillimin e arsimit dhe për atë të shëndetësisë, pothuajse është e pamundur që të ketë një plan për zhvillimin energjetik të vendit. Ato duhej të shiheshin bashkë në një plan të përbashkët, apo në mungesë të tij është dashur të zgjidhej njëri nga problemet më të mëdha që e ka përcjell vendin tonë” ka deklaruar Stavileci.

Ai ka rikujtuar se, në të kaluarën ishte arritur një progres në nënshkrimin e memorandumit të bashkëpunimit për ndërtimin e termocentralit 500 megavatë “Kosova e Re”, një projekt kyç për furnizimin me energji të vendit.

Stavileci ka theksuar se në vitin 2017 ishte nënshkruar ky memorandum dhe pritej që marrëveshjet komerciale të finalizoheshin, me qëllim që projekti të finalizohej brenda tre viteve.

“Ka qenë ndërtimi i termocentralit 500 megavatë Kosova e Re që në vitin 2017, është nënshkruar memorandumi i bashkëpunimit dhe pritej që të nënshkruhej marrëveshjet komerciale të finalizoheshin dhe pastaj brenda 3 viteve të finalizohet i gjithë projekti që ne sot e kësaj dite do të kishim 500 MW të rinj të futur në funksion dhe kur dihet që në vitin 2020-2021 që ndodhën kriza të mëdha sikurse pandemia dhe efektet e tyre dhe nevoja e këtyre kilovatëve edhe më e madhe ndonëse ato parashikoheshin të vinin në funksion edhe pa i ditur këto kriza”, thotë ai.

Stavileci theksoi se vizioni dhe plani i qeverisë së kaluar për ndërtimin e “Kosova e Re” kishte qenë i duhur dhe se, pa dyshim, do të kishte lehtësuar shumë situatën energjetike që aktualisht po përballet Kosova.

“Vizioni dhe plani i qeverisë e cila pati përgatitur nënshkrimin e marrëveshjes ka qenë i duhur”, tha ai. /FrontOnline/

Komento: