Stoltenberg: Kosova krijoi Ushtrinë në kohën e gabuar

10:47 | 03 January 2019

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg ka ndjerë keqardhje që Kosova ka krijuar Ushtrinë që sipas tij, është bërë në kohën e gabuar.

Stoltenberg ka thënë se i vjen keq që Kuvendi i Kosovës mori vendim që përmes një sërë ligjesh bëri të mundur transformimin e FSK-së në Ushtri, pavarësisht paralajmërimeve dhe shqetësimeve të NATO-s për këtë rast.

Stoltenberg për median malazeze ‘CDM’, ka theksuar se kalimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës në ushtri është një çështje për të cilën Kosova vendos, por ka shtuar se NATO iu ka bërë të qartë se ky veprim ka ardhur në kohë të gabuar.

“NATO mbështet transformimin e FSK-së brenda mandatit të tyre aktual. Me ndryshimin e mandatit, Këshilli i Atlantikut të Veriut do t’i duhet të rishqyrtojë nivelin e angazhimit të NATO-s në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Të gjitha palët duhet të sigurojnë që ky vendim i bërë në kohë të gabuar nuk do të rrisë më tej tensione në rajon”, është shprehur Stoltenberg, përcjell lajmi net.

Ai ka thënë se të gjithë akterët politikë në rajon duhet të përqendrohen në progresin për reformat dhe dialogun.

“Unë kam folur me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe me kryeministrin kosovar, Ramush Haradinaj ku kam theksuar se është e rëndësishme që të ruhet qetësia dhe të injorohet çdo deklaratë ose veprim që mund të çojë në përshkallëzim. Në këtë kontekst unë mirëpres komunikim të vazhdueshëm në mes komandantin të KFOR-it, gjeneral Lorenc D’Zadari dhe kolegëve të tij në rajon”.

Stoltenberg ka shtuar se vazhdojnë të mbështesin plotësisht procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës pasi është vendimtar për paqen dhe sigurinë rajonale.

Komento: