Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se taksa do të ndikojë në vendimin e NATO-s për Kosovën.
Përveç votimit të ligjeve të ushtrisë, një tjetër pengesë ka dalë në raportet e NATO-s me Kosovën.
Pas përfundimit të takimit të ministrave të Mbrojtjes në Bruksel, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se aleatët, në krye me SHBA-në, janë shumë të shqetësuar për taksën e vënë nga qeveria e Kosovës ndaj mallrave serbe dhe atyre të Bosnjës dhe e shohin atë si pengesë për dialogun me Beogradin, raporton KTV.
“Më duhet të them se vendosja e tarifave të larta ndaj Serbisë dhe Bosnjës nuk ndihmon në asnjë mënyrë. Në fakt, e vështirëson shumë dialogun me Beogradin. Këto tarifa po e dërgojnë procesin në drejtim të gabuar. Kjo është diçka që unë dhe shumë aleatë të NATO-s e mendojmë. Tani e kemi parë që edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë shumë të qarta kundër vendosjes së kësaj tarife. Kjo është edhe një arsye pse tani do të marrim vendim për nivelin e angazhimit me Kosovën”, ka thënë Stoltenberg në konferencën e fundit të samitit.
Stoltenberg: Mirë që edhe SHBA-ja doli kundër taksës
Kosova ka qenë ndër temat kryesore të diskutimit në ditën e fundit të samitit të NATO-s në Bruksel.
Sekretari i përgjithshëm, Jens Stoltenberg ka konfirmuar se një vendim për nivelin e angazhimit me FSK-në do të merret në fund të pranverës, raporton KTV.
Ai ka thënë se personalisht vazhdon të mendojë që koha për votimin e ushtrisë ka qenë e gabuar, dhe se vënia e taksës nuk i kontribuon dialogut Prishtinë – Beograd.
“Tarifat shumë të larta, 100 % ndaj Serbisë nuk e ndihmojnë procesin. Tani e pamë, që edhe SHBA-ja doli hapur kundër vendosjes së tarifave”, ka thënë Stoltenberg.
Shefi i NATO-s sërish i është referuar marrëveshjes së Brukselit për të thënë se FSK-ja nuk mund të shkojë në veri, por nuk ka pranuar të flasë nëse kjo është për shkak të një letre që ish-kryeministri Thaçi ia kishte dërguar ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasumssen, ku i garantonte se nuk do ta dërgojë forcën në veri.