Strehimi familjar në Kosovë

11:18 | 05 October 2022

Sa e sa herë e keni hapur derën e shtëpisë suaj pas kësaj thirrje, e me dashurinë më të madhe e keni pranuar dikë që ka ardhur të ndaj pak kohë me ju?!

A keni menduar ndonjëherë se mund të keni rast t’i hapni derën e shtëpisë dikujt që me të vërtetë e bën shtëpinë më të madhe, e ju t’i bëheni modeli më i mirë i jetës? Imagjinojeni që për një moment ky zë, vjen nga një fëmijë pa përkujdesje prindërore. Nevoja e tij është që përkohësisht të qëndroj në shtëpinë tuaj, e ju të kujdeseni për të në atë formë që të bëheni modeli i prindit që atij/asaj i mungon?!

A e dini se Republika e Kosovës ka forma të veçanta të mbrojtjes së fëmijëve të rregulluara me ligj e të bazuara në Konventa Ndërkombëtare të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe të fëmijëve, e një nga këto forma është STREHIMI FAMILJAR.

Në praktikën kosovare strehimi familjar aplikohet në dy forma: strehimi familjar brenda familjes (familjet strehuese janë nga rrethi familjar, të afërm të fëmijës) dhe strehimi familjar alternativ (familjet strehuese që nuk kanë asnjë lidhje farefisnore, nuk janë të afërm të fëmijës).

Bazuar në të dhënat e “MFPT-së për vitin 2021 – 437 fëmijë janë të vendosur në strehimin tek të afërmit, ndërsa në strehim familjar alternativ janë të vendosur 80 fëmijë pa përkujdesje prindore, të braktisur, të keqtrajtuar, të lënë pas dore etj” , të cilët janë të strehuar në familjet strehuese, e që në Kosovë aktualisht janë 38 prej tyre të cilat ofrojnë shërbime të kujdesit për këta fëmijë.

Familjet strehuese në Kosovë janë një pasuri njerëzore të cilat bëjnë një punë të jashtëzakonshme në mbështetje dhe kujdes të fëmijëve në nevojë. Ata bëhen nënë, baba, vëlla, motër, gjysh e gjyshe, teze e hallë, dajë e xhaxha, dhe ofrojnë të gjitha rolet e mundshme në mënyrë që këta fëmijë të kenë modelin e familjes, dashurinë dhe ngrohtësinë që u nevojitet.

Familjet strehuese dhe fëmijët në strehim mbështeten vazhdimisht nga Qendrat për Punë Sociale dhe Organizatat që ofrojnë shërbime sociale në Kosovë.

“Kur një lule nuk çel, ne ndryshojmë mjedisin në të cilin ajo rritet, jo lulen” – Aleksandër Den Heijer.

Kjo shprehje qëndron në motivet e shumta të punës së Organizatës për Fëmijët pa Kujdes Prindëror në Kosovë.
“Organizata për Fëmijët pa Kujdes Prindëror- OFAP” është organizatë kombëtare, me qëllim të mbrojtjes së fëmijëve pa kujdes prindëror në Kosovë. Misioni i organizatës është që çdo fëmije të braktisur dhe pa kujdes prindëror t’i ofrohet një familje e përkohshme që të jetoj, të rritet dhe të ndjehet pjesë e saj e të ketë dashurinë që i nevojitet.

Bazuar në nevojat e identifikuara në Kosovë, organizata OFAP që nga viti 1999 (ish organizata AiBi) përkrahë, mbron dhe promovon të drejtat e fëmijëve në Kosovë, pavarësisht nga përkatësia e tyre politike, fetare, mosha, niveli i arsimit, orientimi seksual dhe aftësia.

Organizata OFAP ofron mbështetje psikosociale me ofrim të shërbimeve sociale dhe familjare konform Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve, ligjeve si dhe udhëzimeve administrative të aplikuara në Kosovë.

OFAP ofron shërbime psikosociale në të gjitha familjet strehuese të cilat janë të shtrira në shumë komuna të Kosovës, por në disa komuna ka mungesë të tyre. Nevoja për t’u bërë shtëpi e fëmijëve pa kujdes prindëror është shumë e madhe. Qendra për Punë Sociale që operon në secilën komunë të Kosovës është organi i parë ku ju mund të orientoheni për çdo informacion që mund të ju nevojitet për t’u bërë familje strehuese.

Strehimi Familjar është forma më e mirë e mbrojtjes së fëmijëve, dhe ajo çfarë ju mund të ofroni është shumë e vlefshme.

Hape zemrën, çele derën!

Bëhu familje strehuese!

Komento: