Strohmeyer: Kishte incidente, kemi parë serbë që largoheshin e jemi informuar për kërc’ënime personale

14:38 | 20 January 2025
strohmeyer:-kishte-incidente,-kemi-pare-serbe-qe-largoheshin-e-jemi-informuar-per-kerc’enime-personale

Dëshmitari Hansjeorg Strohmeyer, ish-këshilltar juridik i UNMIK-ut, deklaroi të hënën në Hagë se ndonëse nuk e kishte punë shënjimin e incidenteve, ai ka parë se gjatë misionit të tij në Kosovë kishte gjëra të tilla.

Madje, ai tregoi një rast kur kishte parë një çift serb që largoheshin, ndërsa më vonë atë vend e kishte parë teksa digjej.

“Po, por në të njëjtën mënyrë të çrregullt apo sporadike siç janë raportuar. Ne kemi lëvizë me makinë në Kodrën e Diellit në Prishtinë dhe në anën e majtë e kemi parë, gjë që ishte e zakonshme atë ditë një lloj, një çift që merrnin plaçkat e tyre i ngarkonin mbi makinë, në të cilën kishin shkronja clirikë. Ne arritëm në përfundimin që ishin çift serb që po largoheshin. Pas 20 minutave kur po ktheheshim dhe te një vend ku e kishim parë këtë çiftin, po digjej. Ndaluam dhe biseduam me ata njerëz, me atë çift dhe na thanë që dikush kishte hedhur koktej molotovi në atë ndërtesë dhe në makina, duke i djegur dhe këta ishin serbë që donin të largoheshin”, tha ai.

Madje, ai tha se ka qenë i informuar edhe për kërcënime personale ndaj personave që nuk ishin shqiptarë.

“Nuk e di nëse ka pasur gjëra të tjera, por ishim të informuar edhe për kërcënime personale për persona që ishin jo shqiptarë”, tha Strohmeyer.

Ai tha se nuk ishte roli i tij që të shënjonte incidente të tilla por që nga pozicioni i tij kishte ndërveprime dhe kishte mundësinë që t’i shihte këto gjëra. Gjithashtu, ai shtoi se kishte vazhdimisht tensione.

Në anën tjetër, Strohmeyer tha se prej një takimi në Hotel “Grand” ishin të informuar se ekzistonte ambicia për krijimin e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës.

“Mund ta them që zoti Thaçi ishte aty dhe kishte persona të tjerë të pranishëm në sallë. Nuk më kujtohet saktësisht se kush ka qenë, por besoj që ka qenë edhe zoti Selimi nëse nuk gabohem. Megjithatë, jam i sigurt që zoti Thaçi e ka bërë prezantimin e kësaj ambicie. Që prej atij momenti e në vijim, ne ishim në dijeni të faktit që ekzistonte ambicia e kësaj pjese ose këtyre individëve që të paktën ishin aty për krijimin e Qeverisë ose mbase edhe ambicia e UÇK-së që të krijohet një Qeveri e Përkohshme që ishte e ndryshme nga administratat që mendonim të krijonim ne sipas Rezolutës 1244. Sa i takon arsyes se pse ishte krijuar, ekzistonte përshtypja jonë se kjo ishte një lëvizje për të projektuar prej tyre dhe me kërkesë të tyre dhe një administratë që do ishte në kontrollin e tyre. Kjo ishte përshtypja”, u shpreh ai.

Dëshmitari mohoi se ka dijeni që Qeveria e Përkohshme ishte themeluar në bashkëpunim me Ibrahim Rugovën.

Veç kësaj, duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të Thaçit, Luka Mishetiq, dëshmitari mohoi se ka qenë në dijeni që Qeveria e Përkohshme e Kosovës ishte me përkrahjen e ShBA-së.

Si rrjedhojë, avokati Mishetiq e ballafaqoi Stohmeyer me deklaratat e mëhershme, ku kishte thënë se Qeveria e Përkohshme e Kosovës ishte formuar njëanshëm. Megjithatë, ai tha se në atë kohë ashtu ishte përshtypja e tij.

Në këtë seancë, avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon njoftoi se nuk do të kundërshtojnë që dëshmitari i nesërm të dëshmojë përmes video-lidhjes. Si rrjedhojë, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, tha se do të lëshojnë urdhër për paraqitjen dëshmitarit të radhës përmes video-lidhjes.

Komento: