Protesta e studentëve në Shqipëri duket se do të vazhdojë edhe më tutje.
Sot do të ketë bojkot kombëtar, të pranishëm, gjithë shoqëria.
Të rinjtë dhe qytetarët që mbështesin kauzën flasin për “Shekullin”.
Ja skenari i studentëve për të shmangur politikanët. Taulant Muka: Kjo protestë është fundi i tranzicionit të Dhjetorit të Parë
Në ditën e 12-të protestës, studentët sërish protestuan para Kryeministrisë edhe më të vendosur në realizmin e kërkesave të tyre.
Për ditën e nesërme, të rinjtë kanë paralajmëruar për një bojkot kombëtar, ku i kanë bërë thirrje çdo qytetari të bashkohet dhe t’i japë edhe më shumë zë kauzës së tyre. Studentët janë të vendosur, të mos pranojnë zëra politikë në protestën e tyre, edhe pse këta të fundit kanë shprehur dëshirën për të qenë prezent në këtë protestë madhështore e cila do të mbahet ditën e hënë. Për këtë arsye ata kanë vendosur, që të qëndrojnë rreth dy orë në për fakultetet përkatëse dhe më pas të marshojnë drejt Kryeministrisë në orën 11:30.
Skenari, flet Taulant Muka
I kontaktuar nga gazeta “Shekulli”, një nga zërat kryesorë të protestës, Taulant Muka, shpjegoi se si studentët do të shmangin figurat politike. “Ka një tentativë nga ana e qeverisë dhe opozitës që ta bëjnë të njëjtën strategji si në protestën e “Astirit”. Kanë deklaruar që opozita do të shkojë nesër për të mbështetur studentët, ndërkohë që kamerat do të drejtohen te ata, por studentët nuk do e pranojnë një gjë të tillë, për këtë arsye do mblidhen në fakultet. Do të qëndrojnë dy orë, për të treguar se fuqia janë ata dhe jo opozita dhe të marshuar do shkojnë bashkë për t’i parapriri lojës politike, të Ramës, Bashës dhe Kryemadhit”, u shpreh ai. I pyetur, nëse mendon se kërkesat e studentëve do të realizohen, Muka u shpreh se nuk ka rrugë tjetër.
“Do të realizohen, patjetër! Ata kanë akuzuar me emra dhe mbiemra profesorë dhe nuk mund të kthehen në auditorë për të bërë sërish mësim me ta. Kanë filluar të kërkojnë edhe shkarkimin e rektorëve apo dekanëve, të cilët kanë shkatërruar arsimin në Shqipëri. Për aq kohë sa universitetet tona janë kioska dhe të qëndrosh në ato kioska do të thotë që ti po pranon krimin që po të bëhet. Gjëja me duhur që duhet të bëhet është bojkotimi i mësimit, deri në plotësimin e kërkesave.
Ata e kanë shkundur sistemin e 28 viteve në arsim, duke i treguar politikës majtas dhe djathtas që u kanë shkatërruar ëndrrat duke bërë genocid ndaj dijes dhe ka ardhur koha që duhet thënë: “Mjaft!”. Ata janë shpresa dhe e ardhmja e këtij vendi. Ata janë fundi i tranzicionit të Dhjetorit të Parë”, tha Muka për Shekullin.
Ai është kthyer nga Zvicra për të marrë pjesë në këtë protestë. Nisur nga denoncimet publike për plagjiaturë, kryeministri e emëroi para disa kohësh zëvendës ministër të Arsimit, por Muka u tërhoq pas dy javësh duke deklaruar se kjo ishte bërë thjesht për t’i mbyllur gojën. Edhe ditën e djeshme, protesta ishte paqësore dhe me ide të qarta për realizim e kërkesave.
Dhjetoristi Vullnet Spahiu: Në protestë mbështes vajzën, situata si 28 vjet më parë
Të pranishëm përveç studentëve, ishin edhe qytetarë të cilët mbështesin kauzën e tyre duke u shprehur se këta studentë kanë ngjallur shpresën. Vullnet Spahiu, një ish-student i dhjetorit të vitit 1990, tha për “Shekullin”, se te këta të rinj shikon veten e tij dhe kolegët, që u ngritën kundër sistemit të asaj kohe. Unë jam ish-student i dhjetorit, por nuk i përkas asnjë force politike të tanishme.
Kam dalë të përkrah këtë rini studentore, e cila më kujton vitet tona, por kjo rini është me zgjuar se ne. Kam dëshirë që të mos pësojnë dhe bëjnë gabimet që bëmë ne, siç na përçahu neve ish-sigurimi i shtetit dhe shumë të tjerë, të cilët edhe sot janë në pozicionet me të larta, duke filluar që nga Presidenca dhe më poshtë. Vendi është një gjendje të jashtëzakonshme, demokraci e brishtë dhe papunësi e madhe. Diplomat janë të pavlefshme, leku është i pavlerë.
Rinia po ikën nga vendi, kushtet janë të njëjta me ato të 28 viteve më parë. Asgjë nuk ka ndryshuar. Studentët janë në dy punë, vetëm për të përballuar jetesën, duke mos u bërë barrë e prindërve, sepse dhe ata nuk kanë ku i gjejnë më fondet. Për deri sa ata janë përzgjedhur për të hyrë në fakultet, do të thotë se ata kanë për të dhënë diçka, por shteti nuk i përkrah. U vendos barriera të pakapërcyeshme. Ata meritojnë një përkrahje të plotë. Asnjë qindarkë nuk duhet të paguajnë”, tha ai. Më tej shtoi, se vajzën nuk e ka ndjekur me studimet në master për shkak të tarifave të larta.
“ Unë personalisht, vajzën nuk e kam çuar në master, se nuk kisha mundësi ekonomike. Jam i dëshpëruar nga gjithë sistemi politik. Ndërrohen me emra dhe fytyrë, sepse bëjnë të njëjtën gjë të gjithë. Askush nuk bën gjë konkrete për popullin. Mendoj se kërkesat e tyre janë 100% të realizueshme, por nuk besoj që do të plotësohen. Dua që të organizohen, të jenë të sinqertë dhe pa partitë politike, pasi asnjëra nuk i ndihmon. Rama është duke u tallur me studentët dhe gjithë popullin. Ai po i përçan edhe këta studentë, duke ushtruar presion tek ta. U bënë dy javë protestë, ai nuk ka bërë asgjë. Ai mund t’i realizojë brenda një dite kërkesat e tyre, thjesht nuk do. Në 28 vite, arsimi është i njëjtë sa i takon infrastrukturës. Pa tulatet, me dyer të thyera dhe as kushtet minimale. Personalisht do i mbështes gjithmonë, se ata janë ajka e kombit, prej tyre do të lindë politika e re që do të drejtojnë vendi”, u shpreh z. Spahiu për “Shekullin”.
Rama fton sërish studentët për dialog
Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me protestën e studentëve para godinës së kryeministrisë e cila ka hyrë në ditën e saj të 12-të. Përmes një postimi në ‘Instagram’ kreu i qeverisë ka nënvizuar faktin se zgjidhja e 8 kërkesave duhet të bëhet përmes dialogut. Foto nga një protestë e famshme e studentëve në SHBA, ku pasi protestuan me këmbëngulje duke kërkuar Dialog&Transparencë, studentët arritën t’i ulin në tryezë autoritetet dhe morën një marrëveshje të favorshme “, shkruan Rama teksa poston një foto nga një protestë në SHBA, ku shkruhet ‘Ne duam dialog dhe transparencë’. Ndërkohë kujtojmë që kryeministri në mënyrë të vazhdueshme ka kërkuar dialog me studentët nëpërmjet rrjeteve sociale. Mënyrën e ftesës për dialog, të rinjtë e kanë komentuar si të palogjikshme dhe shumë tallëse.
Xhona Reniçi: Rama po e humb betejën me studentët
Ashtu si çdo ditë, studentët deklaruan për “Shekullin”, se nuk do të tërhiqen dhe nuk ka më kohë për tu kthyer pas. Sipas tyre, është më mirë të vazhdojnë protestën, sesa të rikthehen në auditorë, pa plotësimin e kërkesave. Xhona Reniçi, studente e Fakultetit Histori-Filologji, tha se dita e hënë është e madhe për ta, pasi do të bashkohet e gjithë shoqëria shqiptare. Një bojkotim kombëtar. “Kjo nuk është më kauza jonë, por e të gjithëve, e prindërve dhe fëmijëve të tyre. Profesorët deri më tani na kanë mbështetur dhe janë pro e kësaj kauze, sepse janë pro e një arsimi më dinjitoz dhe më cilësor. Unë vazhdoj të mbaj idenë, se nuk duhet të ketë dialog dhe negociata, me kryeministrin. Pikat janë shumë të qarta, shumë bazike, duke iu referuar rajonit, jo më tej. Pas plotësimit mund të dialogojmë për të vazhduar më tej, për një arsim më cilësor. Duke parë edhe publikimet që bën kryeministri Rama, thirrjet që u bën studentëve, nën ombrellën e një kryeministri të dorëzuar, ai po e humb betejën, por ne jemi të bindur për të fituar luftën”, tha ajo.
E pyetur nëse kanë pasur presione nga stafet pedagogjike për të ndalur protestën, ajo u shpreh se fakulteti e saj nuk ka pasur raste të tilla. “Stafet pedagogjike na kanë mbështetur, sepse dhe ata janë kundër këtij ligji.
Ne kërkojmë rrëzimin e Ligjit të Arsimit të Lartë. Ne kërkojmë uljen e tarifave, por në gjykimin tim tarifa me e lartë për ne është ky ligj. Duhet të rrëzohet me patjetër dhe ky sjell pastaj, jo vetëm plotësimin e tetë kërkesave, por edhe të shumë të tjerave. Kjo protestë, ndoshta do të na penalizojë për orët mësimore, por më e vlefshme është t’i kompensojmë në një muaj më tepër, dhe ne të fitojmë këtu. Ne nuk mendojmë vetëm për veten tonë, por edhe për brezat që vijnë pas nesh. Le të sakrifikojmë tani që filluam, sesa ta lëmë në mes këtë që nisëm.
Ne këtu kemi pasur mbështetje nga të gjithë. Patëm banorët e “Astirit”, të cilët na mbështetën në kauzën tonë. Ata kanë fëmijët e tyre dhe mbi ta bie barra e shpenzimeve, u shpreh studentja. E pyetur nëse do i pranojnë figurat politike, të cilët kanë deklaruar se do jenë prezent në këtë protestë kombëtare, ajo tha se kjo është e palogjikshme. “ Është e vështirë për ne, që të pranojmë politikanë të cilët kanë thënë se do na bashkohen si qytetarë.
E tillë është edhe znj. Kryemadhi. Ata mund të cilësohen si partiakë, ne jemi të pastër dhe nuk duam që kauzën tonë ta përfshijmë me ta. Edhe shantazhet, ofrimi i parave, ose telefonave të shtrenjtë ka qenë prezent, por ne kemi qenë të pamanipulueshëm. Unë do të isha për qytetarët, sepse këtu nuk duhet të mendojmë më për parti. Krerët e partive duhet të jenë të përjashtuar nga kauza jonë, nuk duhet të përfitojnë nga ne”, u shpreh Xhona Reniçi. Mbesa e shkrimtarit Martin Camaj, Vera Camaj mbështetëse e protestës, u shpreh për “Shekullin”, se protesta është studentore, jo politike. “Këtu nuk ka parti, por është gjithë rina dhe drejtësia e munguar e këtij vendi. Jemi larg politikës, pasi ajo është anti-shqiptare, e korruptuar dhe e lyer me gjak. Kërkesat e studentëve janë të drejta dhe të vërteta, por ky nuk i plotëson, dhe për këtë nuk është as shansi më i vogël.
Ai ka lindur dhe vazhdon të jetë një dështak me idiotësirat e tij. Ngelës është Edi Rama, jo studentët. Të rinjtë janë ata, të cilët mund të çlirojnë vendin, sepse Shqipëria është e kapur nga kuçedra komuniste, e lidhur nga të gjitha anët. Në Shkodër, kanë filluar shantazhet në rrethina, për të mos protestuar. E pse? Kjo është e drejta jonë. Të plotësojë kërkesat dhe t’u kërkojë falje studentëve, sepse po i mundon, por këta nuk dorëzohen. Nëse ai plotëson kërkesat e studentëve, rrëzohet. Për këtë arsye dhe nuk i plotëson”, u shpreh Camaj. Në fund ajo i bëri edhe një thirrje kryeministrit: O…plotëso kërkesat, ul kokën, se e dimë kush je ti, mos e zgjat më shumë, mos bëjë lojëra me ne. Tani ka hasur thika në kockë dhe nuk bëhet me”, tha për “Shekullin”, qytetarja.
Ledina Matri: Përjashtojmë nga protesta krerët e partive dhe të forumeve
Në ditën e 13-të të protestës, ende nuk ka dialog dhe studentët gjenden sërish para Kryeministrisë me thirrjet për plotësim e pikave të tyre të panegociushme. Ledina Matri, studente e gazetarisë, në vitin e tretë ka qenë prezente në protestë që nga dita e parë dhe sipas saj nuk ka humbur entuziazmi dhe vrulli dhe pse kjo ditë është pushim dhe ndoshta numri është ulur pak. “ E kam mbështetur kauzën, për të arritur plotësimin e kërkesave tona, që qeveria apo pushteti e ka për detyrë t’i plotësojë. I ka detyrim edhe pse nuk na i ka realizuar. Mendoj se do të plotësohen, sepse nuk ka diskutim për atë që ne kërkojmë.
Kam dëgjuar Ramën, teksa thoshte në një emision televiziv, që nuk mund të paguajë njësoj ai që është i pasur dhe ai që është i varfër. Një sistem i tillë besoj që ekziston, sepse ata që marrin ndihmë ekonomike nuk paguajnë edhe tani. Ne po zhvillojmë një protestë paqësore, për të treguar që jemi të arsimuar dhe nuk jemi ngelësa, sikurse ai na ka etiketuar. I dimë se cilat janë kornizat etikës. Bojkoti ynë është të mos shkojmë në shkollë dhe të boshatisësh auditorët. Besoj që kryeministri, nuk ndihet rehat teksa na shikon këtu në shesh, e di që nuk po fle rehat. Kështu qetësisht do vazhdojmë dhe do e tregoj koha nëse do jetë e arsyeshme të përshkallëzojmë protestën me forma të tjera. Sa i takon presionit nga stafet pedagogjike, nuk mund ta përjashtoi këtë mundësi. Edhe pse ata po ekspozohen nëpër televizione dhe po bëjnë të ‘mirin’, kjo nuk do të thotë se janë kaq të pastër ndaj kauzës.
Sepse ata janë që bëjnë plagjiaturën, që doktoraturën nuk e mbarojnë, edhe pse duket se na mbështesin. Prej disave kemi pasur mbështetje, duke na udhëzuar se si të vazhdojmë, por nuk përjashtohen edhe ata që tregojnë autoritet duke mos lejuar prezencën tonë në këtë protestë. Ne kemi bërë kërkesë që ditën e nesërme të jenë të përfshirë të gjithë qytetarët, pa përjashtim, të cilët mbështesin kauzën tonë. Ne kemi përjashtuar dhe do përjashtojmë vetëm forumet dhe kryetarët e partive”.
Romeo Kordha: Të rrëzohet Ligji për Arsimin e Lartë, nuk duam dhunë
Në këtë protestë të pranishëm në numër të lartë kanë qenë edhe gjimnazistët. I tillë është edhe Romeo Kordha, i cili ka ardhur nga Durrësi për të dhënë kontributin e tij në protestë. “Ne kërkojmë sistemimin e ligjit të arsimit sepse aktuali po i zhvat studentët. Në gjykimin tim, ne kërkojmë gjëra shumë jetike për të gjithë. Këto janë fillimi i dialogut. Kërkesa për dialog është, si të thuash po nxjerr peshkun nga ujë dhe të dëshmosh që po e shpëton nga mbytje.
Pra është absurde”, tha ai. Po ashtu shtoi se studentët kanë sakrifikuar edhe shëndetin e tyre duke qëndruar edhe natën para Kryeministrisë. “Shumë nga ne kanë pasur edhe probleme shëndetësore këtu, prej të ftohti, lodhjes, por kjo nuk na ndal. Ne nuk duam përshkallëzim të protestës në dhunë, sepse ne duam të jemi kështu të edukuar, duke treguar qytetari dhe dijen tonë.
Ky është sinjali ynë, për të treguar se nuk pranojmë këtë ligj. Vitin tjetër, kur unë të nis fakultetin, nuk dua të jetë sërish në këto kushte. Ne nuk jemi për të rrëzuar qeverinë, nuk kemi asgjë personale me kryeministrin, thjesht duam që të rrëzohet ai ligj dhe më pas të nis përmirësimi në Arsimin e Lartë. Di që për nesër, do jenë të pranishëm edhe politikanë, të cilët nëse vijnë pa flamur partiak, mendoj se do t’i pranojmë. Por ekziston edhe mundësia e zhvendosjes së protestës, për të shmangur figurat politike” u shpreh ai për “Shekullin”.