Studentët shqiptarë në RMV, kërkojnë respektimin e barazisë gjuhësore dhe kushtetuese

12:56 | 05 Shkurt 2026
studentet-shqiptare-ne-rmv,-kerkojne-respektimin-e-barazise-gjuhesore-dhe-kushtetuese

Studentët shqiptarë të fakulteteve juridike në Maqedoninë e Veriut kërkojnë respektimin e barazisë gjuhësore dhe kushtetuese në sistemin e drejtësisë.

Ata kërkojnë thjesht dhe drejtpërdrejt nga qeveria dhe ministria që provimet ti japin në gjuhën shqipe.

Vendimi i Ministrisë së Drejtësisë, i drejtuar nga Igor Filkov, për të refuzuar zyrtarisht peticionin e studentëve dhe për të lejuar dhënien e provimit të jurisprudencës vetëm në gjuhën maqedonase, është një hap pas në respektimin e të drejtave kolektive të shqiptarëve dhe një barrierë e drejtpërdrejtë për përfaqësimin e barabartë në sistemin gjyqësor.

Lidhur me këtë zhvillim, Bashkimi Demokratik për Integrim, aktualisht në opozitë, rikujton se pas miratimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, gjatë qeverisjes së kaluar, ishte përgatitur një zgjidhje ligjore që e mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe, por shumica aktuale qeveritare e hoqi atë nga procedura e miratimit, pa asnjë shpjegim plotësues, duke mos e rikthyer asnjëherë më për miratim.

“Ky vendim nuk është vetëm një çështje teknike apo administrative, por ka pasoja të drejtpërdrejta politike, shoqërore dhe institucionale, duke e kthyer gjuhën në filtër për profesionin e juristit dhe duke pamundësuar avancimin e profesionistëve shqiptarë në sistemin e drejtësisë”

Opozita në vend ngrin pyetje nëse ky është një qëndrim individual i ministrit Filkov, apo qëndrim zyrtar i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, dhe nëse vendimi është marrë nga ekzekutivi, a është miratuar ai me konsensus të plotë dhe a janë pajtuar me të edhe ministrat shqiptarë?

Lidhur me këtë zhvillim ende nuk ka një reagim zyrtarë nga kryeministri Mickosi dhe VLEN-partitë shqiptare në bashkëqeverisje me të.

Komento: