Studimi i ri: Vitamina C dhe zinku nuk i zvogëlojnë simptomat e COVID-19

15:42 | 13 February 2021

Vitamina C dhe zinku nuk i zvogëlojnë simptomat e COVID-19, tregon studimi i ri.

A ndihmon vitamina C dhe zinku në luftimin e COVID-19? Ja ç’thonë studimet e reja!

Jo, madje as në doza të larta, sipas disa provave të para klinike për testimin e suplementeve nën mbikëqyrjen mjekësore.

Pavarësisht nga përdorimi i popullarizuar i vitaminës C dhe zinkut për të luftuar ose zvogëluar ashpërsinë e ftohjeve virale dhe gripit, studimi i ri, i botuar të premten në JAMA Network Open, zbuloi se dy suplementet nuk kishin asnjë përfitim për njerëzit e izoluar në shtëpi me COVID-19, shkruan CNN.

Prova klinike i dha doza të larta të secilit suplement tre grupeve me 214 njerëz që po shëroheshin/kuroheshin në shtëpi. Një grup i katërt mori kujdes standart, si pushimi, hidratimi, ilaçe për uljen e temperaturës dhe jo suplemente.

“Glukonat zinku me dozë të lartë (zink), acid askorbik (vitaminë C), ose të dy suplementet nuk i zvogëluan simptomat e SARS-CoV-2”, sipas kardiologut të Klinikës Cleveland, Dr. Milind Desai dhe një ekipi nga Klinika Cleveland.

Dozat e larta, sidoqoftë, kanë shkaktuar disa efekte anësore të pakëndshme për pacientët që marrin suplemente.

“Më shumë efekte anësore (marrje mendsh, diarre dhe dhimbje stomaku) u raportuan në grupet që kishin marrë doza të larta suplementesh.

Shumë njerëz i drejtohen vitaminës C dhe zinkut për të luftuar ftohjet virale dhe gripin. Vitamina C është një antioksidant i njohur dhe luan një rol thelbësor në mbështetjen e sistemit imunitar. Edhe pse nuk është treguar të parandalojë sëmundjen, studime të tjera kanë zbuluar se ajo mund të shkurtojë ftohjet me 8% tek të rriturit dhe 14% tek fëmijët.

Megjithatë, përdorimi i vitaminës C pas fillimit të simptomave të ftohjes, nuk duket dhe aq i dobishëm, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit në SHBA.

Zinku mund të ndihmojë aftësinë e një qelize për të luftuar infeksionin, tha studimi, “ndërsa ka prova se mungesa e zinkut rrit citokinat pro-inflamatore dhe ul prodhimin e antitrupave”.

Çfarë do të thotë kjo në jetën reale? Nëse merret brenda 24 orëve nga shenjat e para të një ftohjeje, zinku mund të zvogëlojë gjatësinë e një të ftohti me vetëm një ditë, sipas një përmbledhjeje të 13 studimeve.

Marrja e mbi 2,000 miligramë të vitaminës C në ditë mund të shkaktojë urth, ngërçe në stomak, të përziera, të vjella, diarre dhe dhimbje koke. Sasia mesatare ditore e rekomanduar e vitaminës C është 75 miligramë për gratë dhe 90 miligramë për burrat.

Mbi 40 miligramë zink çdo ditë mund të shkaktojë tharje të gojës, të përziera, humbje të oreksit dhe diarre, plus që mund të ketë një shije të keqe metalike, citon Anabel.

Hulumtimi vazhdon

Shkencëtarët po vazhdojnë të eksplorojnë përdorimin e vitaminave dhe suplementeve në trajtimin e COVID-19.

Megjithatë, bazuar në studimin e përmendur më lart, duket se përdorimi i vitaminës C dhe zinkut për të shkurtuar kohëzgjatjen e Covid-19 është i padobishëm.

Komento: