Dhjetëra mijëra britanikë mbesin pa rrymë shkaku i stuhisë Ciara.
Më shumë se 20 mijë shtëpi në Britani të Madhe kanë mbetur pa energji elektrike gjatë natës së mbrëmshme për shkak të stuhisë Ciara, e cila ka sjellë reshje të mëdha të shiut dhe erëra të fuqishme.
Kompaninë e rrjetit elektrik raportuan se 18 mijë e 500 shtëpi ende nuk kishin rrymë as të hënën në mëngjes në pjesën juglindore të Anglisë. Në rajonin perëndimor, raportohet se 2800 shtëpi të tjera kanë mbetur pa furnizim me energji elektrike, shkruan “Independent”.
Disa pjesë të Britanisë së Madhe pritet të përfshihen nga furtuna dhe reshjet e borës që do të shkojnë deri në 20 centimetra.
Kështu, pritet të shkaktohen pengesa në komunikacion, prandaj vozitësit janë këshilluar që t’i shmangin udhëtimet që nuk janë urgjente.
Në disa rajone, për 24 orë ra më shumë shi sesa mesatarja e reshjeve për një muaj e gjysmë, ndërsa erërat e arritën shpejtësinë në 145 kilometra në orë.
Sidoqoftë, era ka ndikuar që një fluturim i kompanisë “British Airways” nga Nju Jorku në Londër të kryhet për kohë rekorde.