Stuhia në Greqi që la pa shenja jete 6 persona, mësohet se a ka kosovarë të lënduar

12:42 | 11 July 2019

Një stuhi e madhe goditi Greqinë, ku mbetën pa shenja jete 6 persona.

Ministria e Punëve të Jashtme në Kosovë në kontaktet me autoritetet e spitalit të Halkidiki pas stuhisë në Greqi që i la të vdekur 6 persona e mbi 100 të lënduar, ka konfirmuar se në mesin e tyre nuk ka asnjë qytetar shtetas të Kosovës.

MPJ është bërë e ditur se kontaktet me autoritetet në atë vend po vazhdojnë.

“Ministria e Punëve të Jashtme nga informacionet e pranuara nga kontaktet me autoritetet e spitalit në Halkidiki, konfirmon se nuk ka asnjë qytetarë të lënduar nga stuhia që ka përfshirë këtë vend”, kanë bërë të ditur nga MPJ.

Ndryshe, një tornado dhe stuhi e fuqishme goditi mbrëmë Greqinë.

Gjashtë turistë raportohen të vdekur, dy prej të cilëve janë fëmijë, ndërsa numri i të lënduarve është afër 100.

Pemët janë çrrënjosur, veturat janë përmbysur ndërsa motoçikletat janë bartur tërësisht nga erërat shumë të fuqishme që goditën Halkidikin, një qytet afër Selanikut.

Pamjet nga Halkidiki, që është qytet bregdetar në detin Egje, tregojnë se si rrufeja godet ndërtesat ndërsa në të njejtën kohë era lëviz makinat e parkuara.

Këso moti kaq ekstrem është i pazakontë në Greqi, ku vera është shumë e nxehtë dhe e thatë. Meteorologjisti Klearxos Marousakis përshkroi kushtet atmosferike si shumë të pazakonta për këtë sezonë.

Ndërsa disa persona tjerë të intervistuar nga mediat lokale tregojnë se kurrë nuk kanë përjetuar stuhi të tilla. Stuhia tani është qetësuar dhe parashikohet që shiu të ndalet këtë të enjte.

Komento: