Suarez ka thënë se nuk e priste në këtë mënyrë largimin.
I trishtuar dhe me lotë në sy Luis Suarez i ka dhënë lamtumirën Barcelonës nëpërmjet një konference për shtyp ku bashkë me të ka qenë i pranishëm edhe presidenti Josep Maria Bartomeu.
Pas 6 vitesh te Barça të mbushur me suksese të shumta “El Pistolero” do të provojë një aventurë të re te Atletico Madrid duke u larguar nga Blaugranat me 198 gola të realizuar në 283 ndeshje, shifra këto që tregojnë klasin e uruguianit.
Në fjalën e tij Suarez theksoi se nuk e priste aspak një lamtumirë në të tillë mënyrë.
“A e prisja një lamtumirë të tillë? Jo, por ndihem krenar për gjashtë vitet e mia këtu. Kam pranuar vendimet dhe tani do të kërkoj të shijoj aventurën e re. Të luaja këtu është një ëndërr, një ëndërr që e kam realizuar. Ditët që mbërrita këtu nuk e kisha imagjinuar ndonjëherë. Jam krenar për atë që kam bërë. Kur më telefonoi Koeman, edhe pse ai ma komunikoi, e dija për largimin. Unë kisha një kontratë dhe vazhdova të stërvitesha derisa të gjeja një sistemim të ri. Tani ndihem gati për një aventurë në maksimum, kam shumë dëshirë për të bërë mirë”.
“Si kundërshtar në Camp Nou? “Do të vij me dëshirë dhe ambicie, më pëlqen sfida e re dhe secili do të bëjë maksimumin për skuadrën e tij. Do të jetë e bukur gjithsesi”, u shpreh Suarez.