Nëntë persona kanë mbetur pa shenja jete si pasojë e një sulmi me dron në Tripoli
Sulmi ndodhi në një kamp ushtarak në Tripoli, njoftoi sot Qeveria e Libisë në Tripoli, që mbështetet nga Kombet e Bashkuara.
Në mesin e viktimave janë edhe katër civilë, të cilët po dërgonin furnizime në kampin ushtarak, në momentin kur ndodhi sulmi në orët e vona të së shtunës, tha Mustafa al-Majai, zëdhënës i Qeverisë në Tripoli.
Nga ky sulm janë plagosur edhe 35 persona të tjerë, thanë zyrtarët, raporton Dpa.
Ende nuk ka koment lidhur me këtë sulm nga forcat lindore, që komandohen nga Khalifa Haftar.
Më herët gjatë këtij muaji, Haftar ka urdhëruar forcat e tij, të quajtura Ushtria Kombëtare e Libisë, që të marrin kontrollin e kryeqytetin libian, Tripoli, nga forcat qeveritare.
Të dy palët po zhvillojnë luftime në periferi të kryeqytetit.
Që prej nisjes së luftimeve për kontrollin e Tripolit, sipas Organizatës Botërore për Shëndetësi (OBSH), kanë mbetur pa jetë 278 persona.
Në Libi janë të paktën dy qeveri: njëra me bazë në Tripoli, që udhëhiqet nga Fayet Serraj dhe që ka mbështetjen e OKB-së dhe një qeveri tjetër me bazë në qytetin lindor, Tobruk, të cilës i përket komandanti Haftar.