Sulm në një shkollë, vriten 19 fëmijë dhe 2 të rritur

09:31 | 25 May 2022

19 fëmijë dhe dx të rritur humbën jetën të martën kur një 18 vjeçar hapi zjarr në një shkollë fillore në Teksas. Edhe autori i sulmit vdiq, raporton CNN.

Shkolla fillore Robb është në Uvalde, rreth 135 kilometra në perëndim të San Antonios.
Guvernatori Greg Abbott tha se i dyshuari, i identifikuar si 18-vjeçari Salvador Ramos, me sa duket u vra nga oficerët e policisë që shkuan në vendngjarje dhe se dy oficerë u goditën me armë zjarri. Guvernatori tha se plagët e tyre nuk ishin serioze.

Autoritetet thonë se i dyshuari veproi i vetëm.

Zoti Abbott kishte thënë në një konferencë shtypi disa orë pas ngjarjes se ishin vrarë 14 nxënës shkolle si edhe një mësues/mësuese. Por senatori i shtetit të Teksasit Roland Gutierrez i tha më pas CNN-it, duke cituar policinë e shtetit të Teksasit , se numri i të vdekurve ishte rritur në 19 fëmijë dhe dy të rritur. Autori i sulmit ishte banor i zonës dhe hyri në shkollë me një pistoletë, dhe ndoshta edhe me një pushkë dhe hapi zjarr, tha zoti Abbott. Ai tha se vrasësi ka të ngjarë të jetë vrarë nga oficerët që mbërritën në vendngjarje, por se ngjarja është ende duke u hetuar.

Një numër i madh policësh shkoi në vendngjarje, me oficerë të veshur me jelekë antiplumb që drejtonin trafikun dhe agjentë të FBI-së që hynin e dilnin nga ndërtesa. Zyrtarët e shkollës dhe të qytetit nuk u janë përgjigjur pyetjeve për koment.

Presidenti Joe Biden është informuar lidhur me ngjarjen, tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre.

Zoti Biden “do të vazhdojë të informohet rregullisht”, shtoi ajo.

Sulmi në Teksas ndodhi më pak se dy javë pasi një person i armatosur hapi zjarr në një supermarket në Buffalo të Nju Jorkut, duke vrarë 10 persona me ngjyrë. Zyrtarët e kanë cilësuar atë sulm një krim urrejtjeje.

Uvalde ka 16,000 banorë. Qyteti është rreth 120 kilometra larg kufirit me Meksikën. /VOA

Komento: