
Kreu i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi të premten se aleanca mbetet e gatshme të mbrojë çdo pëllëmbë të tokës së saj, pas goditjes së një pallati banimi në Rumani nga një dron gjatë një sulmi rus në Ukrainën fqinje.
“Sjellja e pakujdesshme e Rusisë është një rrezik për të gjithë ne,” shkroi Rutte në platformën X. “Mbrëmë u pa sërish se pasojat e luftës së tyre agresive dhe të paligjshme nuk ndalen në kufijtë e tyre.”
Ai shtoi se NATO do të vazhdojë të forcojë aftësitë e saj të mbrojtjes dhe të disuazhit brenda territorit të saj dhe do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën në përpjekjet për të mbrojtur veten nga agresiviteti rus.