Sulm seksual në qendër të Pejës, viktima është alpinistja e njohur

19:00 | 30 September 2022

Rastet e ngacmimeve seksuale janë shtuar shumë.

Viktima e një sulmi seksual në Pejë, Mrika Nikqi, e cila është alpiniste, ka publikuar një video ku shihet duke u sulmuar seksualisht nga një person.

Sulmi ka ndodhur më 27 shtator, rreth orës 20:50, ku viktima derisa po ecte rrugës ndalet nga një sulmues, me iniciale F.B, që Nikqi thotë se është anëtar i një familjeje të njohur në Pejë, përcjell Gazeta Online Reporteri.net.

“Me datë 27. 09.2022, në ora 20.50, në qendër të qytetit te Pejës isha viktimë e sulmit seksual, veprim vandal i cili është kryer me paramendim nga personi F.B, anëtarë i një familje të njohur në qytetin e Pejës.”
Mrika Nikqi thotë se ky rast ka bërë që ajo të jetë në gjendje të rëndë emocionale e të mos mund të deklarohet në tërësi.

“Si pasojë e kësaj situate, për momentin jam në gjendje të rëndë emocionale dhe nuk mund të deklarohem në tërësi. Pas vendimit të plotfuqishëm të Gjykatës do të ju njoftoj për rrjedhën e situatës dhe sulmuesin e paskrupullt”.

Ndërkaq, pas punës hetimore të policisë, Gjykata Themelore në Pejë ka njoftuar se sulmuesi që shihet në video është arrestuar.

“Pas identifikimit, i njëjti me urdhër të Prokurorit të Shtetit është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Sulmi seksual” nga neni 229, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.”, thuhet në njoftim.

Komento: