Sulmet e Qeverisë mbi Gjykatën Kushtetuese konsiderohen si rrezik për demokracinë

18:02 | 27 Qershor 2024
sulmet-e-qeverise-mbi-gjykaten-kushtetuese-konsiderohen-si-rrezik-per-demokracine

Gjykata Kushtetuese ka ‘goditur’ pushtetin aktual duke rrëzuar tërësisht Ligjin për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme. Kushtetuesja njoftoi se pesë nene të këtij ligji bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës.  Ky vendim nuk u mirëprit nga Qeveria ‘Kurti’. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, akuzoi gjyqtarët e Kushtetutës për shërbim ndaj nomenklaturës së vjetër, ndërsa zv.ministri i këtij dikasteri, Blerim Sallahu ka paralajmërua se Byro do të bëhet, ani pse vendi u rrëzua.

Njohës të fushës së drejtësisë në vend, kanë kundërshtuar reagimet e pushtetit për vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Kryeziu: Qeveria s’ka vetëdije shtetërore me reagimet kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese

Ish-gjyqtari i Kushtetueses, Kadri Kryeziu tha për Front Online se Qeveria aktuale nuk ka vetëdije shtetërore, pasi sipas tij, nuk ka të drejtë të përzihet në vendimet e Gjykatës. Kryeziu thotë se këto reagime kundër vendimit të Kushtetutës ndikojnë negativisht në mekanizmat ndërkombëtar. “Kritikat e pushtetit nuk kanë vetëdije të lartë shtetërore sepse nuk duhet të përzihen. Pushteti ka për detyrë të i zbatojë vendimet e Gjykatës se ato janë ligje. Pushteti nuk ka të drejtë të bëjë komente politike raport me Gjykatën, kjo ndikon negativisht në mekanizmat ndërkombëtar”.

Kryeziu ka treguar arsyen pse Kushtetuese e ka rrezuar Ligjin për Byronë. Ai thotë se kjo është mundësia që ky ligj të kaloj në Parlament. “Gjykata i ka nëntë gjyqtar profesional dhe e kanë vërejte që pesë nene bien ndeshë me Kushtetutën, konsiderohet që janë shkelë disa të drejta të njeriut të sanksionuar me Kushtetutë. Ligji i ka 28 nene, pesë prej tyre janë në kundërshtim në këtë kontekst ligji rikthehet në Parlament dhe mund të kaloj me rekomandimet të cilat i ka dhënë Kushtetuesja”.

Avokati Musa: Asnjë pushtet nuk mund të jetë mbi sistemin e drejtësisë

Kritikat e Qeverisë ‘Kurti’ për rrëzimin e Ligjit të Byrosë nga Kushtetuesja, i ka komentuar edhe avokati Skender Musa. Sipas tij, asnjë pushtet nuk mund të jetë mbi sistemin e drejtësisë.  “Sistemi kushtetues i ka të ndara institucionet, nuk ka asnjë pushtet mbi sistemin e drejtësisë. Ligji dhe Byroja nuk parashihen si organe as hetuesisë as ndjekjes as prokurorisë dhe as sistemit të drejtësisë dhe si të tilla janë anti-Kushtetuese”.  Avokati Musa vlerëson se s’ka të drejtë asnjë institucion të dërgoj ligj në Kushtetuese të cilin e ka rrëzuar.

“Të gjitha institucionet janë të obliguara me i zbatua vendimet e kësaj gjykate. Ministria e Drejtësisë nuk ka të drejtë as Qeveria me dërguar një ligj që Gjykata e ka vlerësuar në kundërshtim me Kushtetutën”, tha Musa për Front Online.

Gruda, PDK: Sulmet e pushtetit drejtë Gjykatës Kushtetuese, të rrezikshme për demokracinë

Përparim Gruda, koordinator i Departamentit për Drejtësi në Kabinetin për Qeverisje të Mirë në PDK, ka kritikuar ashpër pushtetin aktual për sulmet nga Gjykatës Kushtetuese. Gruda për Front Online i ka vlerësuar të rrezikshme deklaratat e Qeverisë pas vendimit të Gjykatës për ligjin e Byrosë. Ai thotë se nëse PDK do t’i dëgjoj sërish ligjet në Kushtetuese nëse nuk janë në përputhje me këtë institucion. “Sulmet ndaj Gjykatës nga pushteti janë të rrezikshme për demokracinë e vendit. Nëse e bëjnë ligjin e ri për Byronë shpresoj që do ta bëjnë në përputhje me standardet Kushtetuese, për sa kohë bëjnë ligje që Gjykata i shpall jo Kushtetuese, PDK do t’i çoj sërish”.

Gruda deklaron se është pritur rrëzimin i Ligjit për Byronë nga Kushtetuesja. “Ligji është bërë në shpërputhje me Kushtetutën, ka qenë e ditur nga fillimi se ai ligj do të dorëzohet. Është dështim i Qeverisë për me hartuar ligjin e duhur që e rregullon këtë problem”.

Ky është njoftimi I Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e Ligjit për Byronë:

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur në rastin KO46/23, me parashtrues Abelard Tahiri dhe nëntë (9) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të parashtruar në Gjykatën Kushtetuese bazuar në autorizimet e paragrafit 5 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit nr. 08/L-121 për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Gjykata ka vendosur që (i) njëzëri, të deklarojë kërkesën e pranueshme; dhe (ii) të konstatojë, me tetë ( 8 ) vota për dhe një (1) votë kundër, që pika 2.1 e paragrafit 2 të nenit 2 (Fushëveprimi) në lidhje me paragrafin 2 të nenit 34 (Shqyrtimi në shkallën e parë) të Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës dhe paragrafët 1 dhe 2 të nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 1 (Mbrojtja e pronës) të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; (iii) të konstatojë, me tetë ( 8 ) vota për dhe një (1) votë kundër, që pika 2.2 e paragrafit 2 të nenit 2 (Fushëveprimi) në lidhje me paragrafin 3 të nenit 22 (Periudha e verifikimit të pasurisë) të Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës; (iv) të konstatojë, me gjashtë (6) vota për dhe tri (3) vota kundër, që pika 1.1 e paragrafit 1 të nenit 10 (Përbërja e Komisionit Mbikëqyrës dhe Kompensimi) të Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me nenin 106

[Papajtueshmëria] të Kushtetutës; (v) të konstatojë, me tetë ( 8 ) vota për dhe një (1) votë kundër, që pika 1.2 e paragrafit 1 të nenit 10 (Përbërja e Komisionit Mbikëqyrës dhe Kompensimi) të Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 136 [Auditori i Përgjithshëm i Kosovës] dhe paragrafët 1 dhe 2 të nenit 137 [Kompetencat e Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës] të Kushtetutës; (vi) të konstatojë, me gjashtë (6) vota për dhe tri (3) vota kundër, që pika 1.4 e paragrafit 1 të nenit 10 (Përbërja e Komisionit Mbikëqyrës dhe Kompensimi) të Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 132 [Roli dhe Kompetencat e Avokatit të Popullit] dhe paragrafin 3 të nenit 134 [Kualifikimi, Zgjedhja dhe Shkarkimi i Avokatit të Popullit] të Kushtetutës; dhe (vii) të shpallë të pavlefshëm, me pesë (5) vota për dhe katër (4) vota kundër, në tërësinë e tij, Ligjin nr. 08/L-121 për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

 

Komento: