
Mediat iraniane kanë raportuar se një tjetër shkencëtar bërthamor ka vdekur në sulmet izraelite në vend, duke e çuar numrin zyrtar të të vdekurve në 10, raporton BBC.
Vdekja e shkencëtarit të quajtur Isar Tabatabei Ghomsheh u njoftua për herë të parë nga buletini i Universitetit Sharif të Teheranit, ku ai ishte ish-student.
Buletini i universitetit tha se ai u vra “në fund të javës së kaluar në shtëpinë e tij” së bashku me gruan e tij, Mansoureh Hajisalem.
Irani më parë konfirmoi vdekjen e nëntë shkencëtarëve të tjerë bërthamorë.
Fereydoon Abbasi ishte ish-kreu i Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit, ndërsa Mohammad Mehdi Tehranchi shërbeu si drejtor i Universitetit Islamik Azad në Teheran.
Abdolhamid Minouchehr, Ahmad Reza Zolfaghari dhe Amirhossein Feghhi ishin të gjithë anëtarë të stafit akademik në Universitetin Shahid Beheshti të Teheranit.
Akbar Motallebizadeh, Ali Bakaei Karimi, Mansour Asgari dhe Saeed Borji janë vrarë gjithashtu.