Sulmi në Banjskë/ Hoxha: Nëse jo me direktiva të Vuçiqit, i bjen që Radoiçiqi i ka dalë dorësh

18:28 | 27 Shtator 2023
sulmi-ne-banjske/-hoxha:-nese-jo-me-direktiva-te-vuciqit,-i-bjen-qe-radoiciqi-i-ka-dale-doresh


Në krye të grupit terrorist serb, të cilët vranë rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku dhe plagosën dy policë të tjerë, thuhet se ishte nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq.

Ish-zv.ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka publikuar një video të incizuar me dron, ku shihet Radoiciqi i armatosur në Banjskë.

As Lista Serbe, partia që ka mbështetjen e Beogradit, e as institucionet në Serbi nuk kanë reaguar lidhur me akuzat e Kosovës për përfshirjen e pretenduar të Radoiçiqit.

E, ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha për Front Online nuk përjashton mundësinë që Radoiciqi i ka dalë nga “dora” presidentit serb.

Ai thotë që Radoiçiqi provokoi fillimin e luftës në rajon.

“Në variantin e parë, do të ketë gisht edhe presidenti i Serbisë, Vuçiq, në qoftëse jo siç ai po pretendon, duke pretenduar ta sheh si një aksion të qytetarëve të Kosovës të rebeluar, atëherë prania e Radojiçiqit, kolegut të Veselinoviqit e konfirmon faktin që nëse jo me direktiva të Vuciqit, atëherë ai tashmë i ka dalë dorësh Vuiçiqit, dhe ndikimi i tij është aq i madh në shtetin e Serbisë, saqë ka provokuar fillimin e një lufte rajonale”, tha ai për Front Online.

Sulmi në Bansjkë të Zveçanit, Hoxha thotë që është e përfshirë edhe Rusia.

“Nuk mund t’i ikë as Vuçiqi, e as Vulini, as eksponentë të tjerë të lartë të shtetit të Serbisë, skenarit të mirë organizuar dhe të mirë menduar për hapjen e një konflikti të ri, natyrisht besojmë që këtu ka dorë edhe Rusia, të cilës tashmë dihet botërisht i konvenon hapja e një pike të re konflikti në Evropën Juglindore, konkretisht në Ballkan për ta larguar vëmendjen nga lufta e padrejtë dhe agresioni i padrejtë që po bëhet ndaj shtetit të Ukrainës”, u shpreh ai.

 

Komento: