Sulmi në Ferizaj: Gjendja e 10-vjeçares stabile, ministri Vitia shkon në QKUK

20:38 | 11 November 2024
sulmi-ne-ferizaj:-gjendja-e-10-vjecares-stabile,-ministri-vitia-shkon-ne-qkuk

10-vjeçarja e cila ishte në mesin e katër kalimtarëve të therur me thikë nga Ekrem Sadiku, në Ferizaj, tashmë është jashtë rrezikut për jetë.

Kështu ka thënë drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla.

Ai tha për RTK-në se gjendja e saj është stabile.

“Për dy rastet e tjera kanë qenë në gjendje stabile. Njëri është trajtuar në gjendjen emergjente dhe është transferuar në Klinikën e Kirurgjisë Maksilofaciale, ndërkaq tjetri është në observim në Qendrën Emergjente, ku mund të them se gjendja e tij është duke u keqësuar, ku sipas të gjitha gjasave do të paraqitet nevoja për sallë të operacionit”, ka thënë më tutje Syla.

Në QKUK për t’i vizituar viktimat shkoi ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili ka shprehur mirënjohje për stafin shëndetësor i cili ka intervenuar shpejtë.

“Falë reagimit të shpejtë nga Klinika Emergjente, dëgjova lajmin e mirë se gjendja e vajzës 10-vjeçare është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë. Gjendja e personave të tjerë është kryesisht stabile, përveç personit i cili pavarësisht që është në ri animin këtu, mund të ndodh që të ketë nevojë edhe për një intervenim kirurgjik”, ka thënë Vitia për RTK-në.

Komento: