Sulmi në territorin e Rusisë, Ukraina nuk e mohon as nuk e pohon se e kreu atë

15:55 | 01 April 2022

Ukraina refuzon ta pranojë ose mohojë përfshirjen e saj në sulmin e kryer 40 kilometra brenda kufirit të Rusisë, përderisa ka frikë se mund të jetë një operacion i inskenuar nga rusët.

Rusia e ka akuzuar Ukrainën se ka dërguar helikopterë përtej vijës kufitare për të sulmuar një depo të naftës. Ukraina nuk e ka konfirmuar se e ka kryer këtë sulm, shkruan The Guardian.

Një zyrtar rus në rajonin kufitar të Belgorodit ka thënë se mëngjesin e të premtes, dy helikopterë ukrainas, Mi-24, kanë kapërcyer kufirin dhe janë ulur goxha, para se të shpërthejnë raketat në depon e naftës, 24 milje (40 kilometra) larg kufirit.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, ka thënë se ai nuk mund të konfirmojë as të mohojë raportimet e përfshirjes së Ukrainës në këtë sulm, pasi “nuk ka informacione nga ushtria”, ka raportuar Reuters, transmeton Gazeta Express.

Ndërkaq, Reuters raportoi se ministri ukraianas i Mbrojtjes nuk u është përgjigjur kërkesave për të komentuar akuzat e Rusisë.

Shumë opinionistë të shquar nga Ukraina kanë thënë se ky sulm mund të jetë inskenim i Rusisë, për të justifikuar përpjekjet e rusëve për të prishur negociatat që po zhvillohen për të arritur paqe.

Të premten, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov i ndezi këto zëra duke thënë se sulmi mund të pengonte negociatat, ndonse ai nuk njoftoi ndonjë reagim konkret rreth sulmit të dyshuar.

Komento: