Sulmuesi i Bullgarisë ka një paralajmërim për Kosovën

21:14 | 09 Qershor 2019

Sulmuesi i Bullgarisë ka thënë se duhet ta mposhtin me çdo kusht Kosovën.

Cyril Despodov kërkon vetëm fitore të hënën mbrëma kundër Kosovës.

Sulmuesi i Bullgarisë, Cyril Despodov, është paraqitur në konferencë për media përpara ndeshjes me Kosovën, e vlefshme për kualifikueset e Euro 2020.

Despodov, i cili luan te skuadra italiane, Cagliari, pranoi se futbollistët e Bullgarisë janë në presion para ndeshjes, por beson se do t’ia dalin për t’i rrëmbyer pikët e plota kundër Kosovës.

“Unë jam i gatshëm dhe jam në dispozicion të trajnerit. Nëse ai mendon se jam gati dhe se duhet të startoj, atëherë kjo do të ishte e mrekullueshme për mua”, tha sulmuesi bullgar.

“Futbolli është gjithmonë një sport i vështirë – si në Kombëtare ashtu edhe në klub. Duhet të fitojmë me çdo kusht nesër”.

Kosova do të jetë në këtë ndeshje pa Valon Berishën, Hekuran Kryeziun, Herolind Shalën dhe Arbër Zenelin, i cili u lëndua ditë më parë në barazimin 1-1 me Malin e Zi.

Komento: